Kombëtarja ribashkohet në Tiranë

Futboll

Kombëtarja ribashkohet në Tiranë

Më: 29 gusht 2016 Në ora: 22:02
Kombëtarja Shqiptare

Kombëtarja Shqiptare nis zyrtarisht punën për takimin miqësor ndaj Marokut që do të shërbejë si një test shumë i rëndësishëm për ndeshjen e parë eliminatore të 5 Shtatorit kundër Maqedonisë

Djelmoshat kuqezi u bashkuan për herë të parë që pas Euro 2016 për të hapur një kapitull të ri pas europianit historik, por duke parë me optimizëm nga e ardhmja.

Ekipi dukshëm i karikuar dhe në humor u zhvendos në stadiumin “Selman Stermasi” nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, i cili nuk i kurseu për asnjë moment batutat, duke reflektuar harmoninë që vazhdon të mbizotërojë në radhët e skuadrës.

Dukshëm i shpënguar dhe i lehtësuar nga tensioni që e karakterizoi skuadrën gjatë europianit, të besuarit e trajnerit italian u rikthyen në stadiumin e kryeqytetit ende jo në formë të plotë për shkak të disa mungesave.

Taulant Xhaka arriti të bashkohej me grupin pak minuta pas fillimit të stërvitjes. I madhi i vëllezërve Xhaka zgjodhi ta ndiqte seancën nga pankina pas itenerarit Rinas-Tiranë, ndërsa Aliji, Manaj, Roshi, Balaj, Gjimshiti dhe Memushaj do të bashkohen me skuadrën gjatë orëve të ardhshme për shkak të impenjimeve me skuadrat e tyre resppektive ditën e dielë.

Mungesa më e madhe ishte padyshim ajo e kapitenit Lorik Cana që tashmë i ka dhënë lamtumirën kombëtares, ndërsa Etrit Berisha u shfaq në humor, pavarësisht faktit se ai është ende në kërkim të një skuadre që t’i besojë vendin e titullarit në portë. Kombëtarja Shqiptare nis kështu në kapitull të ri. De Biasi dhe djemtë e tij janë gati të luftojnë për të dhuruar një tjetër ëndërr.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat