Mjeku i ri kuqezi, një “veteran” i Serisë A

Futboll

Mjeku i ri kuqezi, një “veteran” i Serisë A

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 00:05
Gianluca Stesina

Gianluca Stesina është mjeku i ri i Kombëtares shqiptare. Edhe pse vetëm 42-vjeçar, mund të cilësohet pa frikë si një veteran i Serisë A. Plot 400 ndeshje në elitën e futbollit italian, ku për 7 vjet punoi te skuadra e Torinos, ndërsa në 4 vitet e fundit ishte mjeku përgjegjës për ekipin e parë të Juventusit, ku është shpallur tre herë kampion i Italisë. Një specialist që do ti shërbejë shumë Kombëtares.

Gianluca Stesina: Është një aventurë e re. Me thirri trajneri De Biasi, trajneri i parë që kam pasur si profesionist, e që 10 vjet më parë besoi tek unë. Jam shumë i kënaqur që filloj këtë eksperiencë të re. Shpresoj të jem në lartësinë e duhur, për të ndihmuar Kombëtaren dhe trajnerin që të arrijmë rezultate të mira. Gjithashtu shpresoj që futbollistët të kenë pak nevojë për mua, pasi kjo është gjëja më e mirë. Tani do të nisim këtë eksperiencë, të kuptojmë me stafin e trajnerit se për çfarë ka nevojë. Federata ka një kontratë me J. Medical dhe shpresojmë të jemi të dobishëm për përmirësimin psiko-fizik të përfaqësueses së Shqipërisë.

Aktualisht Gianluca Stesina është drejtor sanitar i J Medical, strukturës mjekësore sportive më të rëndësishme në Itali. Juventusi investoi 10 milionë euro për këtë strukturë të përfshirë në stadiumin e bardhezinjve, me kapacitet 20 mijë pacientë, ku punojnë 60 specialistë dhe aparaturat janë më modernet në qarkullim.

Gianluca Stesina: Nëse do të ketë lojtarë të përfaqësueses që do të kenë probleme, federata mund të vendosë që të na i besojë rehabilitimin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Në qendrën tonë kemi të gjithë qendrën diagnostikuese: rezonancën apo rrezet X, specialistët më të mirë në Torino për pjesën ortopedike, pastaj kemi palestra dhe pishina për rehabilitimin, me aparaturat më të mira në qarkullim.

Në ditën e parë të punës me Shqipërinë, mjeku specialist u shfaq entuziast dhe premtoi se do të bëjë më të mirën në shërbim të Kombëtares kuqezi.

Gianluca Stesina: Kjo për mua është dita e parë, por vij me entuziazmin që kam shfaqur në të gjitha eksperiencat e mëparshme. Dua të jap kontributin tim për trajnerin dhe stafin dhe shpresoj të bëj një punë të mirë. Shpresoj që të mos ketë dëmtime, sepse kjo do të thotë që lojtarët janë të gjithë në gjendje të mirë, por do të jem gati në momentin kur skuadra do të ketë nevojë për mua.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat