Kush do ta trashëgojë shiritin e kapitenit legjendar?

Futboll

Kush do ta trashëgojë shiritin e kapitenit legjendar?

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 21:08
Lorik Cana

Largimi nga ekipi kombëtar i Lorik Canës ka zgjuar edhe interesin se cili do të jetë futbollisti që do të mbajë shiritin e kapitenit.

Pas Ansi Agollit, i cili e bëri këtë detyrë në finalet e Evropianit dhe Etrit Berishës, kandidatët e rinj për kapitenë janë Mërgim Mavraj dhe Ledian Memushaj. Por, për secilin prej tyre më i rëndësishëm është grupi.

“Çdo lojtar ka vendin e tij dhe është i rëndësishëm për kombëtaren dhe kontribuon për të. Jo vetëm kapiteni është ai që lufton dhe luan për ekipin, por të gjithë lojtarët që na duhet për të pasur sukses”, është shprehur Mavraj.

“Nuk është e rëndësishme se kush e merr shiritin e kapitenit. Unë jam kapiten te Pescara, por e ndjej veten të barabartë me të tjerët, pasi të gjithë janë të rëndësishëm. Edhe kjo kombëtare besoj se ka më shumë se një kapiten”, ka deklaruar Memushaj.

Suksesi me pjesëmarrjen në finalet e Evropianit duket të jetë arkivuar tanimë nga futbollistët dhe të gjithë janë të përqendruar në impenjimet e reja, Eliminatorët e Botërorit 2018.

“Duhet ta harrojmë çfarë kemi më parë më parë sepse tani fillon një kompeticion i ri dhe në miqësore na duhet ta përgatisim sa më mirë ndeshjen me Maqedoninë”, ka shtuar Memushaj. “Tani fillon realiteti. Kemi pasur një aventurë shumë të madhe dhe të bukur. Tani jemi përballë një miqësoreje që të kthehemi në realitet dhe të jemi gati për sfidat e reja”, ka theksuar Mavraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat