Katërshja e kombëtares së Kosovës po befason Holandën

Futboll

Katërshja e kombëtares së Kosovës po befason Holandën

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 18 shtator 2016 Në ora: 13:37
Bersant Celina

Bersant Celina me ekipin e Twentes, Milot Rashica me Vitessen, Arbër Zeneli me Heerenveen dhe Sinan Bytyqi me G. A. Eagles, janë katërshja e kombëtares së Kosovës, që po befasojnë në elitën e futbollit holandez. Futbolli holandez kurrë nuk ka pasur me shumë shqiptarë se deri më sot dhe tre prej tyre u paraqitën titullarë me përjashtim të Bytyqit që luajti në pjesën e dytë. Dhe java e gjashtë ishte e bereqetshme për shqiptarët për faktin se realizuan dy gola dhe kjo ishte një bukuri e rrallë. Celina dëshmoi formën e tij me Twente-n dhe i dhanë leksion Den Haag-ut, duke e mposhtur me rezultat 4:1. Celina shënoi në minutën e 54-të dhe ky ishte goli i dytë në këtë edicion apo paraqitja e parë si titullar, pasi ndeshjen e kaluar luajti nga minuta e 67-të, kur kishte realizuar gol në humbje me 3:1 nga Heerenveen. Twente aktualisht është në vend të dhjetë me 9 pikë ose ka tri fitore e tri humbje pas gjashtë javëve. Reprezentuesi tjetër i Kosovës, Arbër Zeneli, me Heerenveen-in, si mysafir e deklasuan me rezultat 3:0 Roda-n.  Zeneli luajti tërë takimin dhe në minutën e 76-të shënoi për fitoren bindëse 3:0.  Për Zenelin është goli i dytë gjatë këtij edicioni, ndërsa skuadra e tij aktualisht renditet në vend të tretë me 11 pikë. Ndërkaq, Vitesse me vështirësi shënoi fitore me rezultat 2:0 në ballafaqim me G.A. Eagles. Sulmuesi Milot Rashica si zakonisht standard dhe kontribuoi në fitoren e skuadrës së tij. Ai luajti deri në minutën e 73-të, kurse Sinan Bytyqi që nga Manchester City është ardhur te G. A. Eagles, regjistroi minutat e parë. Ai luajti nga minuta e 80-të por të dëshpëruar lëshuan fushën. Vitesse është në vend të pestë me 10 pikë, kurse G. A. Eagles renditet i 15-ti me 4 pikë të mbledhura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat