A po punohet në plotësimin e kritereve të UEFA-s?

Futboll

A po punohet në plotësimin e kritereve të UEFA-s?

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 18 shtator 2016 Në ora: 14:20
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Si duket, përgatitjet dhe vetë fillimi i kampionatit të futbollit në Superligën e Kosovës i cili tani më ka filluar, kanë ndikuar që pjesa dërrmuese e klubeve as që ka filluar punën në përmbushjen e kritereve që kërkohen nga UEFA, por nuk janë vetëm këto që nuk e kanë bërë këtë, por është edhe vetë Federata që me neglizhencën e vazhdueshme të saj, lere që nuk ndihmon klubet, por nuk është e interesuar të formoje strukturat brenda për brenda që do u ndihmonin klubeve për përmbushjen e kritereve dhe ngritjen kah profesionalizmi. Skandalet që po ndodhin dhe do të ndodhin në të ardhmen nëse vazhdohet kështu, (të marrim vetëm skandalin e fundit me Yjet, ku krerët e Federatës nuk reaguan me kohë, nuk e njohën nenin 8 pika 1 dhe neni 5 pika 2 ), por u morën më shumë më ahengje pas pranimit dhe sjellja e Yjeve në Përfaqësuesen e Kosovës dështoi, ashtu si dështoi paraqitja e kampionit dhe fituesit të Kupës në Kupat Europiane. Se kjo garniturë udhëheqëse është e degraduar, e pa ditur, amatore, tregojnë më së miri deklaratat për ta mbrojtëse! Për kyqjen e Yjeve në Përfaqësuesen e Kosovës, që këto deklarata bien ndesh me të vërtetën, bien ndesh me nenet dhe pikat e lartpërmendura, por edhe mos sjellja e materialeve që përmbajnë kriteret që duhet përmbushur klubet dhe vetë Federata, dhe me pastaj do të ndodhin skandale edhe më të mëdha të cilat do u kushtojnë klubeve dhe vetë Federatës. Është momenti i fundit që krerët e FFK-së, të largohen nga rruga e kokëfortësisë, rruga e degradimit, rruga e diturisë fallco, nga dominimi i politikës mbi futbollin e Kosovës, larg nga korrupsioni dhe demagogjia. Të gjithë, përveç krerëve të FFK-së si duket, e dimë se mbi kokë kemi ata që nuk falin, pra FIFA dhe UEFA, ata që në mënyrë strikte kërkojnë të zbatohen rregullat dhe rregulloret, ata që ndihmojnë por edhe që ndëshkojnë. Dyert e këtyre dy instancave më të larta të futbollit, FIFA-UEFA, u hapën për futbollin e Kosovës, por edhe FFK duhet të hapë dyert e demokracisë e cila mungon në këtë Federatë së pari, dhe për strukturat profesionale, njerëz të ditur dhe me vlera. Njohës të futbollit vendorë dhe ndërkombëtarë, njerëz që profesionalizmin njohin në thelb dhe me përvojë. Rrugën që për momentin po e ndjek FFK, është rrugë pa krye, rrugë e skandaleve, familjarizmit, klaneve dhe politikës, dhe që është rrugë e gabuar për të ardhmen e futbollit të Kosovës,  kjo më së shumti do u kushtojë gjeneratave që do të vijnë, ashtu siç u ka kushtuar shumë gjeneratave të mëparshme. Ose vetëdijesohuni vetë, ose patjetër që do ju vetëdijesojnë ata që na rrinë mbi kokë, por vetëdijesimi nga urdhrat e tyre do të përcillen me ndëshkime dhe ju do të keni përgjegjësinë më të madhe para futbollistëve, trajnerëve, klubeve, tifozerisë dhe opinionit futbolldashës.

Autori është ish-futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish-gjyqtar i futbollit

Qëndrimet nuk janë të redaksisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat