Kukësi me probleme në mbrojtje ndaj Laçit

Futboll

Kukësi me probleme në mbrojtje ndaj Laçit

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 00:06
Kukesi - Tirana

Barazimi me Tiranën i kushton Kukësit që ndodhet në emergjencë për mbrojtjen. Trajnerit Ernest Gjoka për sfidën e radhës me Lacin i duhet të improvizojë me repartin e mbrojtjes, ku numëron disa mungesa shumë të rëndësishme. Në takimin me Tiranën Pashaj u ndëshkua me karton të kuq duke e humbur sfidën e radhës, ndërkohë që burime nga stafi verilindor bëjnë të ditur se janë shumë të pakta shpresat që të rikuperohet Ylli Shameti, e po ashtu dhe Nijaz Lena i cili u dëmtua në takimin me bardheblutë. 3 mungesa shumë të rëndësishme për teknikun Gjoka që i duhet të gjejë një zgjidhje për repartin e mbrojtjes, detyrë e vështirë po të merret parasysh edhe mungesa afatgjatë e Polizoi Arbrit që e ka mbyllur që tani 2016 për sa i përket aktivizimit.

Në kampin verilindor përgatitjet e sfidës me Lacin kanë nisur me analizën e barazimit me Tiranën. Trajneri Gjoka ka evidentuar para skuadrës gabimet që u bënë në përballjen me bardheblutë duke kërkuar reflektim për eliminimin e tyre. Barazimi me Tiranën gjithsesi nuk mund të jetë një dramë, pasi Kukësi mori një pikë në një transfertë të vështirë me një ekip të fortë, por tanimë skuadrës i duhet të kthehet sa më shpejt te fitorja që në ndeshjen me Lacin për të vijuar rrugën e nisur me misionin për të arritur te titulli kampion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat