Partizani-Tirana në kërkim të një lideri

Futboll

Partizani-Tirana në kërkim të një lideri

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 23:46
Partizani-Tirana

Tirana dhe Partizani përgatiten për derbin e 146 të historisë. Është përballja e parë sezonale dhe risitë janë të shumta, ashtu si dhe pikëpyetjet se cfarë derbi do të jetë. Një derbi i luajtur në sulm për t’u fituar apo me kujdesin për të mos u humbur, do të vendosë fiziciteti, grinta apo taktika, por në futboll rezultatet vendosen nga momenti kulmor i tij, goli dhe duket e vështirë për të përcaktuar se kush do të shënojë. Partizani dhe Tirana mes shumë ndryshimeve këtë herë kanë një emërues të përbashkët, te të dyja skuadrat për momentin mungon lideri i sulmit. Sezonin e kaluar ishin Sukaj dhe Bakaj ata që mbanin përsipër shpresat e tifozëve respektivë. Bëri fatin e të kuqve shkodrani që shënoi në 3 nga 4 derbit e luajtur, me përjashtim të atij të përfunduar pa gola, një garanci e vërtetë për trajnerin, skuadrën dhe tifozët.

Të njëjtin status te Tirana i duhej ta mbante Elis Bakaj i transformuar në një 9 klasike për shkak të nevojave të skuadrës. Sulmi bardheblu varej nga ai, ishte goli i Bakajt ai që coi Tiranën një hap larg një përmbysjeje të bujshme në derbin e fundit sezonal ku të kuqtë barazuan vetëm në momentet e fundit me Filin, ishte përjashtimi i Bakajt me të kuq ai që fundosi përfundimisht Tiranën në derbin paraardhës. Të dy nuk janë më në kryeqytet, Sukaj bën fatin e tij në Malajzi, ndërsa Elisi në Kroaci dhe në këtë derbi është e vështirë të thuash se kush udhëheq në sulm, pasi te të dyja skuadrat nuk ka një lider të mirëfilltë.

Te Partizani shpresojnë që ta gjejnë te Ekuban, i zhbllokuar më në fund ndaj Teutës, por të gjithë e dinë se vetëm një lule nuk e sjell pranverën. Te Tirana shpresojnë te prurjet e reja nga afrika, që ende mbeten një bast për tu fituar. Derbit të radhës i mungon një lider në sulm, por kush më mirë se kjo ndeshje mund t’i japë një sulmuesi këtë status? Një gol në derbi peshon gjithmonë më tepër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat