Tovërlani: Në futboll nuk ka dje, ka vetëm sot dhe nesër

Futboll

Tovërlani: Në futboll nuk ka dje, ka vetëm sot dhe nesër

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 shtator 2016 Në ora: 11:02
Afrim Tovërlani

Kampioni në fuqi, Feronikeli nga Drenasi, është model për të mirë për shumë klube, si për organizim, për punë dhe disiplinë sportive. Afrim Tovërlani, kryetrajner i Feronikelit, shprehet se lufta për titull mund të jetë e ashpër deri në fund. Tovërlani apo siç njihet si trajner si trofeve, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” thotë se të gjitha ekipet mund të përmirësohen apo dështojnë.

“Bota sot”: Në pesë javët e para, si e vlerësoni ecurinë e Feronikelit, a keni pritur me tepër?

Afrim Tovërlani: Realisht kam pritur një fitore më shumë, por kam thënë se me më rëndësi është si përfundon se si fillon. Asnjëherë nuk jam i kënaqur apo i ngopur me rezultate. Në futboll nuk ka dje, ka vetëm sot dhe nesër.

“Bota sot”: Gjashtë ekipet e para janë me pikë të përafërta, a është një paralajmërim se lufta për titull do të jetë e ashpër deri në fund?

Afrim Tovërlani: Padyshim që do të jetë e ashpër, por është vetëm fillimi dhe shumëçka mund të ndryshoj deri në fund. Të gjitha ekipet mund të përmirësohen apo dështojnë.

“Bota sot”: Tash jemi të pranuar në UEFA e FIFA, a ka ndryshime, lëvizje sa i përket organizimit në përgjithësi të klubeve, si dhe rritje të cilësisë?

Afrim Tovërlani: Unë mund të flas vetëm për klubin tim Feronikelin. Edhe deri tani këto vitet e fundit ka qenë klubi më i organizuar por me pranimin në UEFA dhe FIFA, kryesia ka shtuar angazhimin dhe janë më të organizuarit në vend. Nuk po them lajka por kush është në futboll e dinë se është e vërtet. Kuptohet që duhet të vazhdohet dhe edhe më tepër të ngritët niveli në të gjitha sferat në klub.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Feronikelin aktualisht nga ekipet tjera?

Afrim Tovërlani: Organizim super i mirë. Çdo kush e kryen vetëm punën e vet dhe ka përgjegjësi maksimale. Në Feronikel nuk preokupohen me tjerët kush çka thotë por vetëm me punët tona. Model në Kosovë në futboll.

“Bota sot”: Afrim i takoni gjeneratës së artë të Prishtinës, në vitet 1986-87, futbolli i sotëm a luhet më butë, me teknikë apo është i pakrahasueshëm?

Afrim Tovërlani: Vështirë të krahasohet. Asokohe të gjithë pothuajse kanë kaluar nëpër shkolla të futbollit dhe janë shoshitur mirë para se të luanin në klubet e forta në Kosovë. Fatkeqësisht tash shumë lojtar nuk i kanë kaluar elementet bazike, jo me fajin e tyre. Pra krahasim i vështirë.

“Bota sot”: Te shtunën (nesër) luhet derbi i madh në mes kampionit Feronikelit dhe Prishtinës, a jeni në presion të kësaj sfide, kur dihet se keni përball ish-skuadrën që kaluat periudhën me të mirë dhe a mund ta quani edhe derbi i stinorit vjeshtor nga kualiteti që kanë lojtarët e të dyja ekipeve?

Afrim Tovërlani: Një ndeshje e vlefshme për pikë dhe asgjë më shumë. Jo, nuk kam kurrfarë presioni dhe do të luajmë si shumicën e ndeshjeve në kërkim të fitores dhe pikëve. Derbi mund të jetë, por ka shumë ende deri në fund të vjeshtës dhe mund të ketë derbi tjerë në bazë të rrjedhave të kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat