Skënderbeu fiton por nuk shkëlqen

Futboll

Skënderbeu fiton por nuk shkëlqen

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 23:54
ilustrim

Skënderbeu vazhdon marshin në këtë start të sezonit. Edhe pse gjendja fizike e skuadrës nuk është më e mira, të besuarit e Agostinellit shfaqen cinikë, duke marrë sërish maksimumin e pikëve.

Korçarët fituan edhe sfidën ndaj Luftëtarit, me rezultatin minimal 1-0. Me alarmin në qendër të mbrojtjes, ku Orelesi u improvizua në këtë pozicion përkrah Jashanicës, stoli me elementë cilësorë i lejoi korçarëve luksin të linin në stol Liridon Latifin dhe Sergio Junior, për ndeshjet e para si titullarë të Xhejms dhe Argjend Mustafës, ndërsa Skënderbeu e nisi sfidën në sulm.

Momenti më i rrezikshëm në portën e Luftëtarit u regjistrua në minutën e 9-të, pas tentativës së shkëlqyer nga distanca të Sabien Lilajt, me portierin Miraka që largoi rrezikun.

Gjirokastritët provuan të reagonin me Rapan, që nuk shënjestroi si duhet, ndërsa kampionët e Shqipërisë, provuan pa sukses me Hamdi Salihin dhe Xhejms pa shfrytëzuar rastet e shumta të krijuara në zonën kundërshtare.

Sfida u zhbllokua në minutën e 28-të, pikërisht nga Xhemjs Adeniji, që dërgoi në rrjetë një top të devijuar nga Fukui pas një goditje këndi. Ndeshja e parë si titullar dhe goli i parë në kampionat për nigerianin.

Pas avantazhit, Skënderbeu provoi të mbyllte virtualisht sfidën, duke sulmuar ndërsa Kristi Vangjeli ishte pranë golit spektakolar nga distanca.  Me korçarët që nuk arritën të shënonin, Luftëtari ishte pranë surprizës me Dejvi Bregun, tentativa e të cilit përfundoi pak centimetër jashtë portës së Shehit.

Gjirokastritët fituan besim dhe vazhduan sulmet edhe në startin e fraksionit të dytë, ndërsa Agostinelli mendoi të mbronte avantazhin, duke hedhur në fushë Tefik Osmanin. Me maskë në fytyrë, mbrojtësi u rikthye në fushë pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e parë me Flamurtarin.

Me Skënderbeun që duket larg formës më të mirë, Luftëtari u hodh në kërkim të barazimit. Në të 57-ën miqtë pretenduan 11-metërsh, por gjyqtari Cjapi nuk ishte i këtij mendimi. Skuadra e trajnerit Milinkoviç provoi edhe minutat e fundit të sfidës, ku rasti më i mirë kaloi si gjithmonë nga këmbët e Dejvi Bregut, që në të 86-ën nuk arriti të shënonte golin e barazimit.

Edhe pse paraqitja nuk ishte ndër më të mirat të mundshme, Skënderbeu arriti fitoren e katërt radhazi në kampionat dhe kryeson me 12 pikë të plota, duke u shkëputur përkohësisht me 5 pikë nga Partizani i vendit të dytë. Në sfidën tjetër të luajtur në Vlorë, Flamurtari barazoi pa gola me Teutën, me vlonjatët që nuk arritën të rikthehen te fitoret, ndërsa durrsakët vazhdojnë të pozicionohen në fundin e tabelës, pa asnjë fitore në 4 javët e para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat