Kukësi “në shtetrrethim” para ndeshjes me Partizanin

Futboll

Kukësi “në shtetrrethim” para ndeshjes me Partizanin

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 00:02
Kukësi

Pas takimit të Kupës, paraditen e së enjtes skuadra ka udhëtuar drejt Kukësit me trajnerin Ernest Gjoka që ka vendosur të grumbullojë ekipin në qytetin verilindor 2 ditë para ndeshjes së javës së 5-të të Kategorisë Superore me Partizanin. Përballja direkte mes dy rivalëve për titullin vjen në një moment delikat për Kukësin, që i duhet të rikthehet te fitorja në kampionat pas barazimeve me Tiranën e Lacin dhe trajneri Gjoka ka marrë këtë vendim në mënyrë që skuadra të mund të përgatitet e qetë duke u fokusuar krejtësisht te sfida e kësaj të shtune. Trajneri e ka bërë të qartë edhe nëpërmjet këtij vendimi, se në përballjen me Partizanin të gjithë duhet të japin maksimumin, duke i dhënë në një farë mënyre edhe një shkundje skuadrës prej së cilës kërkohet reagim.

Përballja me Partizanin ofron një shkallë vështirësie të lartë, me të kuqtë që mund të krenohen me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me Alban Hoxhën që nuk është detyruar ta nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta në këtë sezon, por te Kukësi janë të bindur se mund të arrijnë te fitorja, duke shpresuar dhe në mbështetjen e fuqishme të tifozerisë që është ftuar të mbushë shkallët e stadiumit në Zeqir Ymeri. Për sa i përket formacionit, për Gjokën për këtë sfidë i rikthehet në dispozicion një element i rëndësishëm për mbrojtjen me burime pranë skuadrës që bëjnë të ditur se Ylli Shameti është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë, ndërkohë që për sa i përket sulmit trajneri nuk do të mund të mbështetet te aftësitë e Izair Eminit i cili është i dëmtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat