Tirana e bukur, vjen fitorja e parë

Futboll

Tirana e bukur, vjen fitorja e parë

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 08:43
ilustrim

Tirana regjistron fitoren e parë sezonale, duke mposhtur 3-0 Flamurtarin, në javën e pestë të Kategorisë Superiore. Një sukses i rëndësishëm, që i afroi bardheblutë me skuadrat e tjera pretendente në këtë edicion. Pas fazës së parë të studimit, ishte Flamurtari ai që dha sinjalin e parë të rrezikshëm të ndeshjes, ndërsa Tirana u shfaq e ndrojtur në manovrat ofensive.

 

Kjo i dha besim vlonjatëve se mund ti godisnin bardheblutë, me portierin Ilion Lika që bëri dy ndërhyrje vendimtare për të shpëtuar portën. Fillimisht 36-vjeçari neutralizoi tentativëne  Bushiç, ndërsa me aksionin që vazhdoi bëri mrekullinë i vetëm përballë Fazliut. Për kuqezinjtë provoi edhe Donjet Shkodra nga distanca, ndërsa Tomislav Bushiç kishte një tjetër shans për të kaluar në avantazh Flamurtarin, me goditjen e tij fluturimthi që u devijua nga portieri Lika mjaftueshëm sa për të evituar golin dhe topin që u përplas në shtyllë.

 

Pas 26 minutave të dominuara plotësisht nga vlonjatët, Tirana e zgjua dhe u hodh në kërkim të golit. Tentativa e Merveil u shoqërua nga avantazhi i bardhebluve me Benxhamin Ede në të 36-ën.  Në hije gjatë gjithë kohës, sulmuesi shënoi në prekjen e parë të topit, duke kontrolluar harkimin e Hoxhallarit dhe me të djathtën nuk i la shpëtim portierit Halili.

Tirana përfitoi nga momenti i mirë dhe goditja psikologjike e kundërshtarëve, duke dyfishuar shifrat me Afrim Takun vetëm 4 minuta më pas, që realizoi pas shkëputjes mjaft të bukur të Moise nga e majta.

 

Bardheblutë vazhduan të sulmonin edhe në fraksionin e dytë të lojës. Portieri Halili mbajti në lojë vlonjatët, pas devijimit me kokë të Ede, ndërkohë që pa fat ishte edhe Afrim Taku në dy momente. Tentativa e parë përfundoi pak centimetër mbi portë , ndërsa goditja e tij në minutën e 56-të u frenua nga shtylla.

Flamurtari provoi të kthehej në ndeshje, por skuadra e Maganit nuk ishte mjaftueshëm agresive në fushë dhe kërkuese në zonën kundërshtare. Nën vëzhgimin e ish-trajnerit Gjoka, që fundjavën e ardhshme do ti vizitojë me Kukësin e tij (min 69), edhe Radoviç i aktivizuar nga stoli nuk arriti të kthente kuqezinjtë në lojë.

Tirana ishte dominuese në çdo aspekt në fushën e lojës, duke kërkuar edhe golin e tretë dhe krijoi mundësi të shumta për shënim. Rrjeta e fitores 3-0 u realizua nga Afrim Taku në fundin e kohës shtesë dhe skuadra e Ilir Dajës ngjitet në vendin e katërt në renditje, në kuotën e 7 pikëve, duke i’u afruar Kukësit dhe Partizanit. Për Flamurtarin vazhdon kriza, me humbjen e dytë të pësuar në tre javët e fundit të kampionatit. Për vonjatët që nisën një tjetër sezon me pretendime, loja dhe rezultatet e regjistruara nuk përligjin ambiciet e klubit.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat