Botërori 2026, FIFA përjashton Europën. Shtohen shpresat e SHBA-ve

Futboll

Botërori 2026, FIFA përjashton Europën. Shtohen shpresat e SHBA-ve

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 18:49
Foto

Kontinenti i Amerikës së Veriut është kthyer në pretendentin kryesor për të qenë organizator i Botërorit të vitit 2026, i pari që do të jetë me më shumë skuadra, pasi FIFA bllokoi vendet e Europës nga kandidimi këtë të premte.

Këshilli i FIFA-s vendosi që anëtarët e UEFA-s dhe Konfederatës Aziatike të mos kandidojnë kaq shpejt për organizimin e një turneu kaq madhor, pas Rusisë që do të organizojë Botërorin e vitit 2018 dhe Katarit, pritës i Botërorit 2022.

“Ky vendim ka ndryshuar disi hartografinë e garimit për botërorin e ardhshëm të papërcaktuar se ku do të organizohet”, u shpreh presidenti i Federatës amerikane të Futbollit, Sunil Gulati, gjithashtu anëtar i Këshillit të FIFA-s.

Organizmi më i lartë botëror bëri të ditur se Europa duhet të qëndrojë në pritje, “vetëm nëse asnjë prej ofertave të ardhshme nuk do të përmbushë kërkesat strikte tekniko-financiare”. Megjithatë, kjo ka pak gjasa të ndodhë, nëse Shtetet e Bashkuara do të kandidojnë, qoftë të vetme, apo edhe në bashkëpunim me Kanadanë apo Meksikën.

FIFA, në fakt, ka dalë në favor të bashkorganizimeve mes fqinjëve rajonalë, ndaj dhe një ofertë prej tri kandidaturash bashkëorganizatore do të ishte tepër e pëlqyeshme, nëse turneu do të zgjerohet me 40 apo 48 ekipe pjesëmarrëse, siç edhe po kërkohet të bëhet.

Vendimi për të shtuar pjesëmarrësit në atë kompeticion do të merret më 9 ose 10 janar, kur Këshillii FIFA-s të mblidhet në Zyrih.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u zgjodh këtë vit në krye me premtimin e një Botërori me 40 ekipe, gjithsesi nuk do të donte ta deklaronte Amerikën e Veriut si rajonin më të pëlqyeshëm për të organizuar atë ngjarje. “Është ende herët për ta thënë këtë gjë - tha Infantino. - Shpresojmë që të kemi shumë oferta, për të zgjedhur më të mirën e mundshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat