Zidane ka brengë vetëm një lojtar

Futboll

Zidane ka brengë vetëm një lojtar

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 18:59
Zinedine Zidane

Dëmtimet dhe lodhja prej ndeshjeve ndërkombëtare janë problemet aktuale te Real Madrid, aty ku Zinedine Zidane është përgjegjës t’i sfumojë ato, që skuadra madrilene të ketë sukses me çdo kusht. Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes në transfertë me Real Betis-in (nesër, ora 20:45), tekniku francez shpjegoi para gazetarëve gjendjen e kampionëve të Evropës dhe se ç’mund të bëhet në javët e ardhshme në Madrid. “Mund të them se të gjithë lojtarët janë mirë. James Rodriguez pati vetëm një shqetësim, por të tjerët nuk kanë asnjë problem. Kemi patur pak ditë për të përgatitur ndeshjet, por kjo është normale. E rëndësishme është të bëhen gjërat mirë në pak kohë dhe nesër kemi një ndeshje ku duam të tregojmë veten“, – u shpreh fillimisht legjenda madrilene. I pyetur se ç’duhet përmirësuar, Zidane u përgjigj: “Shumë lojtarë nuk kanë qenë këtu, kanë luajtur me kombëtaret e tyre dhe kanë bërë shumë mirë. Tani duhet ta nisim me shumë forcë çdo ndeshje dhe të mos e lëmë kundërshtarin të krijojë raste. Nuk jam magjistar, mund t’ju them vetëm që kemi punuar dhe kjo është ajo në të cilën besoj. Marcelo? Lajmi i mirë është se ndodhet me ne në listën e të grumbulluarve. Ai ka shumë për të ofruar për ne.” Sergio Ramos do të mungojë për një muaj pas dëmtimit në Shkodër Lajmi më i keq për strategun e “Galaktikëve” është dëmtimi i mbrojtësit Sergio Ramos. Zidane këtë e mori “dhuratë” në “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Spanjë, raporton telesport. “Jam i shqetësuar. Ai është kapiteni ynë dhe jep gjithçka në fushë. Më shqetëson fakti që nuk ndodhet me ne, por nuk mund ta ndryshojmë këtë. Kritikat ndaj tij janë të padrejta. Po të më pyesni mua, e them me siguri se ai është gjithmonë në nivelin e tij. Secili ka opinionin e vet, gjithsesi. Mendoj se kritikat ekzistojnë për çdo lojtar të madh”, – u shpreh tekniku. “Nuk e konsideroj veten një trajner të madh. Kërkoj zgjidhje dhe mund të ndodhë gjithçka. Munda ta fitoj Ligën e Kampionëve dhe asnjëherë nuk mendova se isha trajneri më i mirë, sepse jam i ri dhe kam shumë për të mësuar”, – përfundoi Zidane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat