Flamurtari, Idrizi pranon krizën, premton zgjidhje

Futboll

Flamurtari, Idrizi pranon krizën, premton zgjidhje

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 00:43
Sinan Idrizi

Flamurtari në krizë rezultatesh dhe jo vetëm, diçka të tillë e pranon edhe Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi. Problemet financiare, me futbollistët që nuk paguhen që prej muajit Korrik, janë pasuar edhe nga kriza e rezultateve me skuadrën vlonjate që pas 7 javëve të para pozicionohet në vendin e parafundit të klasifikimit me vetëm 5 pikë aq sa Teuta e vendit të fundit dhe Korabi që renditet një vend më lart. Humbja e thellë me shifrat 4-0 ndaj Partizanit thelloi krizën e kuqezinjëve ndërkohë që trajneri Magani menjëherë pas kësaj sfide dha dorëheqjen. Por edhe pse e pranoi se Flamurtari është në vështirësi, Sinan Idrizi qetësoi tifozët duke shtuar se shumë shpejt klubi do të dalë nga ky ngërç.

“Do të ketë zgjidhje sepse ne kemi marrë një përgjegjësi dhe e pranojmë deri në fund përgjegjësinë tonë financiare. Kur ka krizë, kriza është e të gjithëve. Kemi humbje imazhi dhe sportiviteti, por besojmë se shumë shpejt do të kalojë.”

Idrizi nuk ka ndërmend të heq dorë nga Flamurtari, madje ai ka sfiduar të gjithë ata që mendojnë se mund të bëjnë më mirë se ai në krye të klubit duke i ftuar të bëhen pjesë e kuqezinjëve.

“Nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë nga mua, patjetër. Flamurtari nuk është imi.”

Sinan Idrizi pranoi gjithashtu se mesditën e kësaj të Marte ka patur një takim mes tij dhe trajnerit Gugash Magani. Ai theksoi se nuk e ka pranuar dorëheqjen e trajnerit duke i premtuar atij zgjidhjen e problemeve aktuale. Gjithsesi gjithçka do të jetë në dorë të teknikut peqinas me Maganin që në orët e ardhshme do të marrë një vendim përfundimtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat