Rrëfimi i Dervishit, largimi nga Kukësi dhe beteja për titullin

Futboll

Rrëfimi i Dervishit, largimi nga Kukësi dhe beteja për titullin

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 22:10
Dritan Dervishi

Me njoftimin e Kukësit për prishjen e kontratës, u zyrtarizua edhe ndërprerja e marrëdhënies me Dritan Dervishin. Pavarësisht zërave për debate në mbledhjen e fundit me presidentin Gjici, ish-drejtori i përgjithshëm i klubit nuk ka polemika, por vetëm falënderime, pavarësisht pengut të një pune të mbetur përgjysmë.

“Ne të gjithë, nga presidenti, stafi dhe futbollistët kemi punuar për këtë ecuri dhe këto arritje të Kukësit. Iki me dhimbje në zemër, sepse realisht doja që ta përfundoja këtë punë të nisur, por në futboll ndodh.”

Dervishi pohoi prishjen konsensuale të kontratës, për një marrëdhënie që ishte e pamundur të vazhdonte prej konceptimit të ndryshëm të futbollit që kishin palët.

“Është e vërtetë që kam ikur me konsensus. Respektoj vendimin e marrë nga presidenti Gjici. Kishim këndvështrime të ndryshme për futbollin, por në fund shtrënguam duart dhe secili shkoi në rrugën e tij.”

I rikthyer në Shqipëri pas emërimit te Partizani në fillim të sezonit të kaluar, nuk ka ndërmend të largohet, por ka besim se eksperienca dhe mësimet e marra do ti shërbejnë për detyrën e radhës.

“Ishte një eksperiencë e bukur dhe që më ka bërë më të fort, ndërkohë që më ka mësuar edhe prapaskenat e futbollit. Më ka ndihmuar kjo eksperiencë që të jem edhe më i gatshëm për aventurën e radhës.”

Dritan Dervishi u largua nga Kukësi edhe pse ishte brenda të gjithë objektivave. Pas trofeut të Superkupës së fituar dhe aventurës në Europa League ku skuadra u eliminua nga Austria e Vjenës, veri-lindorët mbeten të pathyer në 7 javët e para të Kategorisë Superiore.

“Ecuria e Kukësit ka qenë shumë e mirë. Po flasim për një skuadër shumë të vështirë për t’u mundur, me lojtarë që e ndjejnë përgjegjësinë dhe peshën e fanellës. Fakti që këtë vit jemi mposhtur vetëm nga Austria e Vjenës në Kupat e Europës, tregon që të gjithë kanë merita. Nuk mendoj se largimi im do të ketë ndikim të madh në ekip, pavarësisht se nuk dihet çfarë mund të ndodhë më pas. Por, ky është një grup i konsoliduar dhe që do të përgjigjet mirë në fushë.”

Në pritje të detyrës së re dhe me ofertat që nuk mungojnë, Dervishi nuk preferoi të zbulonte emra, por për momentin do të vazhdojë të qëndrojë pranë futbollit, duke i ndjekur ndeshjet nga afër.

“Do të shkoj ta ndjek ndeshjen në Korçë, për respekt të detyrës që kam pasur. Do të jem atje si spektator, me kënaqësinë e një ish-i, për të parë edhe djersën time. Jam i ftuar nga Shkëmbi. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ndoshta lojtarët do të përgjigjen më mirë, për të më bërë një dhuratë.”

Në fund, ish-drejtori i Kukësit analizoi Kategorinë Superiore, duke dhënë edhe vlerësimin e tij jo vetëm për nivelin e kampionatit, por edhe për skuadrat pretendente.

“Mendoj që ky është një nga kampionatet më të fort në rajon, ku na rivalizon vetëm Greqia dhe kjo vetëm në aspektin financiar. Në fushë jemi liga më e fort, që tregon futboll, por ku luhet edhe ashpër. Këtë vit, Skënderbeu dhe Partizani janë pretendentë kryesorë për titullin, ndërsa më pas vijnë Tirana dhe Kukësi.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat