Shikoni pak edhe femrat

Futboll

Shikoni pak edhe femrat

Nga: Alije Hamiti Më: 21 tetor 2016 Në ora: 15:04
Alije Hamiti

Debate

Askush nuk mund të thotë se nuk kemi cilësi në ligën e femrave. Nëse i referohem pjesëmarrjes së Hajvalisë në garat eliminatore të Champions Leagues, realisht se kemi cilësi. Të gjithë ishim dëshmitare që Hajvalia tregoi paraqitje të mira dhe vetëm fati sportivë i mënjanoi në fazën grupore. Hajvalia bëri paraqitje të mira dhe aty e pamë se futbolli femëror në Kosovë ka nivel, por duhet një përkujdesje më e madhe ndaj vashave tona. Liga me 11 ekipe, është një pasuri, se femrat tona po i kushtohen këtij sporti më të popullarizuar në botë. Klubet po mundohen, po organizohen me takatin e tyre, por nuk qëndrojnë mirë financiarisht pothuajse asnjë. Po harrojmë të gjithë se femrat janë shumë të suksesshme që e kemi dëshmuar në sporte luftarake, si Majlinda Kelmendi, xhudiste dhe kampione olimpike, pastaj boksierja Donjeta Sadiku është kampione e Evropës për të reja. Dhe në futboll kemi disa futbolliste të dëshmuara si Fatmire Bajramaj, Kosovare Asllani, Florijana Ismaili etj. Kjo është një dëshmi se futbolliste kemi, por nuk kemi kushte. Nëse punojmë, investojmë, gjithsesi se do të kemi klube edhe më të forta dhe me cilësi edhe më të lartë se sa është paraqitur Hajvalia në garat evropiane. Hajvalia është një klub që duhet të merret si shembull e cila është kampione e Kosovës dhe e kryeson renditjen. Ndërkaq, ‘Intelektualet’ e Gjilanit janë në vend të dytë, Vizioni nga Ferizaj renditet i treti, klube që e kanë shumë seriozisht për titullin e kampionit. Pa lënë anash Mitrovicën, Llapin, po shihet se rivaliteti po rritet në luftë për vend të parë. Hajvalia nuk do ta ketë lehtë, nëse e shikojmë ecurinë e ‘Intelektualeve’ dhe Vizionit, dy klubet e fundit që po punojmë më përkushtim, por konkurrenca e gëzon shumë edhe Hajvalinë, sepse sa më shumë që kemi konkurrencë rritet edhe niveli në përgjithësi. Mjerimi më i madh është që futbollistet e gjinisë më të bukur pak ose fare nuk paguhen. Por ato stimulohen falë vullnetit dhe fitoreve që arrijnë në terren. Shihet në të gjitha klubet që ka talente, vetëm pak mjete iu duhen që të shpërthejnë dhe sigurisht se mund të arrijmë lart e më lart në garat evropiane. Brumin e kemi, mjetet nuk i kemi, por këto të fundit duhet të gjenden nga sponsorët dhe nga institucionet sportive që veprojnë në komunat e ndryshme. Duhet të mendojmë për ta rritur edhe më shumë nivelin e lojës së femrave, se kjo ndikon edhe në përforcimin e kombëtares së Kosovës, sepse nesër apo pasnesër do të garojmë në kualifikimet evropiane e botërore.

Autorja është futbolliste e Vizionit nga Ferizaj

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat