Nuk ka fitues në Korçë, Skënderbeu-Kukësi 0-0

Futboll

Nuk ka fitues në Korçë, Skënderbeu-Kukësi 0-0

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 22:04
ilustrim

Spektakël, ritëm i lartë nga minuta e parë e deri në atë të fundit por asnjë gol i shënuar në kryendeshjen e javës së 8-të në Kategorinë Superiore. Përfundoi pa fitues Skënderbeu-Kukësi. Në Korcë kampionët dhe verilindorët ndanë nga një pikë në një ndeshje që të dyja skuadrat dëshironin ta fitonin por në të njëjtën kohë edhe të mos e humbisnin. Ky ishte barazimi i parë për Skënderbeun në këtë kampionat dhe i 5-ti për Kukësin që pas 8 ndeshjeve të para nuk njeh humbje. Ngushtohet në dy pikë diferenca mes kampionëve dhe Partizanit në tabelën e klasifikimit ndërsa Kukësi pozicionohet në vendin e 3-t me 14 pikë. Rikuperim në kohë rekord për Hamdi Salihin që rreshtohej nga trajneri Andra Agostinelli në majën e sulmit i mbështetur nga dyshja Xhejms-Lafiti.

Titullar, ndërkohë edhe Sabien Lilaj në qëndër të mesfushës përkrah, Nimagës dhe Orelesit. Te Kukësi 4-2-3-1 skema e propozuar nga Ernest Gjoka me Kariokën, Dvornekovic e Hasanin që ishin në ndihmë të sulmuesit të vetëm Pero Pejic. Ishte pikërisht bomberi kroat ai që i rrezikoi i pari portën e Skënderbeut, por tentativa e Pejic nga një goditja standarte në minutën e 8-t, u prit pa vështirësi nga Shehi. Në të 16-tën rreziku kaloi në portën tjetër me Xhejms që kishte një shans të artë për ti dhënë epërsinë kampionëve por nigeriani shpërdoroi në mënyrë të pabuesueshme nga një distancë fare e vogël një gol të sigurtë. 2 minuta më pas tentativa e Xhejms nga distanca ishte tërësisht e pasaktë. Ritmi i lojës ishte i lartë edhe gjatë minutave në vazhdim por shanset për gol munguan. Për të parë një tjetër rast duhej pritur minuta e 37-të kur Enea Kolici me një superpritje ndali një goditje të bukur dhe shumë të rrezikshme nga distanca të Liridon Latifit. Dëshira për fitore në një sfidë kaq të rëndësishme ishte aq e madhe saqë dallohej qarti ankthi në fytyrat e dy presidentëve Takaj dhe Gjici të cilit ishin ulur përkrah njëri-tjetrit në tribunën Vip të stadiumit Skënderbeu.

Në të 41-tën Xhejms konfirmoi edhe njëherë tjetër se nuk ishte në ditën e tij duke mos përfituar dot nga një gabim i mbrojtjes kukësiane. Pjesa e parë pëfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa fraksioni i dytë nisi me Skënderbeun më kërkues.Në të 55-tën, korcarët pretenduan për një penallti për një faull në zonë ndaj Nimagës, penallti të cilën Skëndërbeu arriti ta fitonte vetëm pak sekonda më vonë. Një krosim i Micit nga e majta e sulmit u ndal nga dora e Entonio Pashajit, nuk kishte dyshime gjyqtari kryesor Kridens Meta i cili akordoi 11-metërsh për vendasit. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër i përhershmi Hamdi Salihi i cili me Kolicin të mundur u ndal nga shtylla duke humbur kështu mundsinë më të mirë për ti dhënë avantazhin skuadrës së Agostinellit.

Në të 58-tën Shameti me një top të gjatë nxorri të lirë përpara Shehit, kroatin Pejic. Ky i fundit në pozicion të dyshimtë i vetëm përballë portierit mori kundërpërgjigjen e kapitenit të Skënderbeut. Për ti dhënë një tjetër shtysë sulmit trajneri Andrea Agostinelli nxorri nga fusha Xhejms duke aktivizuar brazilianin Sergio Junior. Në të 80-tën sërish protagonist Hamdi Salihi. Latifi bëri gjithcka mirë duke pasuar për shkodranin i cili humbi një penallti në lëvizje duke i hequr fitoren nga duart Skënderbeut. Në të 90-tën Nimaga nuk u kordinua sic duhet në goditjen e tij me kokë dhe në Korcë përfundoi gjithcka në barazim pa gola me Skënderbeun e Kukësin që ndanë nga një pikë në supersfidën e javës së 8-t.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat