Super Locatelli, Milan fiton klasiken e Italisë ndaj Juves

Futboll

Super Locatelli, Milan fiton klasiken e Italisë ndaj Juves

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 22:47
Milani

Një derbi, jo gjithmonë flet në favor të të mëdhenjve dhe klasikja e Italisë mes Milanit dhe Juventusit u zgjidh nga skuadra më pak favorite, që triumfoi me një gol të lojtarit më të ri në fushë pas Donnarumës, Locatelli, i cili në moshën 18 vjecare me një supergol ishte në gjendje të rikthente kuqezinjtë te suksesi në një përballje ndaj rivalëve bardhezinj pas plot pesë sfidash të humbura. Juventus për të dytën herë në këtë sezon doli i mundur nga San Siro dhe ashtu si në rastin e Interit, e sheh tashmë Milanin dy pikë pas në klasifikim pas 90 minutave ku sërish nuk munguan episodet e diskutueshme. Në minutën e 37-të të ndeshjes, një harkim i Pjanic përfundoi në rrjetë dhe festa ishte e tëra për juventinët të paktën për 1 minutë.

Kur Ricoli vendosi anullimin e golit për pozicion jashtë loje “britma” e fitores kaloi te Galliani që në tribunë festoi sikur të kishte shënuar Milani. I drejtë apo jo vendimi i gjyqtarit për pozicionin e Bonucci dhe Benatia, pamjet flasin më mirë se cdo koment. Juventus megjithatë nuk u demoralizua por vazhdoi të kontrollonte lojën. Mangësia e vetme mos gjetja e golit pasojë dhe e një rreshtimi të mirë të kuqezinjve në mbrojtje. Atë që nuk bëri Juve e bëri Milani, me 18 vjecarin Locatelli që në të 65-tën me një goditje prej lojtari të madh e dërgoi topin në fundin e rrjetës.

Goli megjithatë duhej ruajtur dhe për këtë mendoi një tjetër “vogëlush” kuqezi Donnaruma që në sekondën e fundit fluturoi për të ruajtur fitoren. Vërshëllimën e fundit e Ricolit ishte dhe një britmë triumfi për një Milan që po rritet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat