Shkupi shtang Shkëndijën

Futboll

Shkupi shtang Shkëndijën

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 19:48
Shkupi feston

Shkëndija është mundur me rezultat 0:1 nga Shkupi, në ndeshjen e shtyrë të javës së tretë të Kampionatit të Maqedonisë në futboll, e cila duhej të luhet në muajin gusht, por u shty shkaku i pjesëmarrjes në eliminatoret e League Europa. Ermedin Adem shënoi golin që Shkupit i solli tri pikë. Pjesa e parë solli lojë shumë të qetë me Shkëndijën që kishte iniciativë, ndërsa Shkupi kryesisht ishte i orientuar në mbrojtje. Ibraimi solli kanosjen e parë në minutën e 11-të kur nga gjuajtja e lirë goditi mbi portë. Në minutën e 25-të Todorovski u ndal me faull në zonë, mirëpo arbitri Eckovski tregoi loja të vazhdojë. Shkëndija solli aksion të mirë në minutën e 33-të kur Ibraimi pasoi për Hasanin, mirëpo e majta e tij u kontrollua nga portieri Zendeli. Në pjesën e dytë pas 10 minutave lojë provon Ibraimi nga jashtë zonës, por vetëm pranë portës.

Në minutën e 68-të Muharrem Bajrami provoi me parabolë nga pjesa e Shkupit të befasojë Jovanovskin, mirëpo për pak mbi portë. Në anën tjetër predhë e Ibraimit nga gjuajtja e lirë, me pritje vendimtare përgjigjet Zendeli. Ndryshimi në rezultat erdhi në minutën e 77-të kur pas një harkimi në zonë gabon Menendez, ndërsa Adem nuk fal këtë dhuratë duke realizuar për epërsi 0:1 të Shkupit. Shkëndija tani duhej të ndjek negativë dhe në minutën e 79-të Hasani godet fortë nga afërsi, mirëpo mrekullisht shpëton Zendeli. Pak më vonë pas një harkimi tenton Zhunior me kokë, por vetëm skaj portës. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe fitorja i takoi Shkupit.

Pas javës së 11-të Shkëndija ka pesë pikë më pak se Vardari që kryeson renditjen. Këta të fundit kanë 25 pikë, kurse Shkëndija 20 pikë. Shkupi është i gjashti me 13 pikë. Pas përfundimit të derbit shqiptar trajneri i Shkupit Visar Ganiu është shprehur i lumtur për fitoren. “Dua të falënderoj nikoqirin për mikpritjen për lojën korrekte gjatë 90 minutave. Mendoj se ishte një lojë mjaftë produktive me shumë raste. Jemi përgatitur për ndeshjen kundër Shkëndijës, sepse i njihnim kualitetet që ka Shkëndija si në formën grupore dhe atë të individuale dhe analizat tona sot dhanë produktivitetin e madh. Ne fituam tre pikë dhe ky ishte synimi jonë. Qëllimisht ia lëshuam posedimin e topit Shkëndijës, ne ishim të përqendruar në lojën defensive dhe me kundërsulme. Dhe kjo lojë rezultoi me golin e Ademit. Pas golit loja jonë erdhi edhe më shumë në shprehje, ku kemi mundur ta ndëshkojmë kundërshtarin edhe me më shumë gola. Këtë fitore ia dedikojmë tifo-grupit tonë Shvercerat që nuk patën mundësi të jenë prezent”, tha Ganiu.

Shkëndija-Shkupi 0:1 (0:0)

Stadiumi i qytetit në Tetovë.

Shikues: 2500.

Arbitër: M. Eckovski, K. Nigerieski, A. Macevski.

Shënues: Adem (77’.

Kartona të verdhë: Iseni (Shkupi).

Shkëndija: Jovanovski, Alimi, Cuculi, Ibraimi, Totre (Asani 46’), Hasani, Zhunior, Bojku (Haberkorn 71’), Todorovski, Vujçiç, Menendez.

Shkupi: Zendeli, Maliqi, Bajrami, Adili, Kadriu (Zuka 76’), Iseni, Traore (Janevski 67’), Osmani, Adem (Llambin 90’+1’), Asani, Llazarevski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat