Kukësi në “kazermë” para Luftëtarit

Futboll

Kukësi në “kazermë” para Luftëtarit

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 15:20
Kukësi

Pas fitores në sfidën e parë të Kupës së Shqipërisë me Dinamon, vëmendja e Kukësit është kthyer menjëherë te kampionati. Vetëm pak orë pas ndeshjes, skuadra veri-lindore nisi grumbullimin për duelin e javës së nëntë të Kategorisë Superiore me Luftëtarin.

Ekipi dhe stafi teknik u larguan paraditen e kësaj të enjteje nga Tirana, për të vazhduar stërvitjen në Kukës, ku trajneri Ernest Gjoka do ti japë dorën e fundit përgatitjeve. Kukësi do të stërvitet në stadiumin “Zeqir Ymeri”, aty ku të shtunën do të presë gjirokastritët, për të synuar ti kthehet fitoreve dhe të përfitojë nga dueli direkt i Partizanit me Skënderbeun.

Grumbullimi i skuadrës përkthehet si një vlerësim maksimal për Luftëtarin, një kundërshtar aspak komod dhe që përballë skuadrave të mëdha ka treguar se nuk dorëzohet lehtësisht. Gjirokastritët paraqiten në këtë sfidë me moralin të lartë, pas fitores me Tiranën gjatë fundjavës së kaluar, ndërsa gjatë këtij sezoni i kanë krijuar jo pak probleme ekipeve pretendente, me Partizanin dhe Skënderbeun që janë kënaqur me fitore minimale.

Megjithatë, te Kukësi besojnë te tri pikët, edhe sepse ekipi i teknikut Gjoka ka një ecuri perfekte në këtë edicion në shtëpi, me tre fitore në po kaq ndeshje të luajtura. “Zeqir Ymeri” është kthyer në fortesën e veri-lindorëve, që në vitin kalendarik 2016 kanë pësuar vetëm një humbje në shtëpi, atë përballë Partizanit, 25 Prillin e kaluar.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat