Ekuban rizgjon Partizanin

Futboll

Ekuban rizgjon Partizanin

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 22:57
Ekuban

Nga Ekuban te Ekuban. Partizani i falet sulmuesit ganez për t’u rikthyer te fitorja pas 3 barazimeve rresht në kampionat. Qëndërsulmuesi afrikan, i cili kishte shënuar glin e vetëm në suksesin e fundit ndaj Korabit, vendosi me një gol me peshë edhe përballë Teutës, duke rikthyer buzëqeshjen te skuadra e kuqe që ngjitet në vendin e tretë të klasifikimit. Partizani cinik dhe pa shumë nerv, ndoshta edhe me mendjen te derbi i së enjtes, bëri shumë pak gjatë 90 minutëshit të luajtur pa praninë e tifozëve në Elbasan, por ekipi kryeqytetas fitoi jo vetëm ndeshjen por edhe moralin në një javë të ngjeshur ku rëndësi ka vetëm fitorja. Pjesa e parë nuk dhuroi emocione me të dyja skuadrat të vendosura mirë në fushën e lojës, por rastin e parë dhe më të rrezikshmin e këtij fraksioni, Partizani e krijoi në minutën e 7. Trashi u gjend i lirë në qëndër të mbrojtjes pas një topi të ardhur nga e djathta e sulmit, por mesfushori i kuq nuk arriti të shënjestronte kuadratin, duke gabuar në mënyrë flagrante me të djathtën. Në krahun tjetër, 9 minuta më pas Ribaj vuri në provë portierin Hoxha por goditja e tij rezultoi e dobët. Në të 25-ën, Atanda kërkoi golin me një goditje me kokë por edhe për qëndërmbrojtësin shenjestra nuk rezultoi e saktë. Teuta e tërhequr dhe e kujdesshme në mbrojtje nuk lejoi shumë hapësira për kundërshtarët, ndërsa në krahun tjetër, Partizani nuk arriti të çante murin e durrsakëve edhe pse në të 37-ën, Malota goditi me kokë por Moçka reagoi me një grushtim duke larguar rrezikun. Me fillimin e pjesës së dytë, Starova modifikoi dy reparte duke aktivizuar Azubel dhe Bardhin në vend të Ibrahimit dhe Kalarit. Është ikërisht sulmuesi izraelit që dha shkëndijën e vërtetë të sfidës me një pasim të saktë me kokë për Ekuban, i cili e ndali topin në cepin më të largët të katërkëndëshit të Moçkës.

Azubel sërish pritagonist në të 57-ën, por izraeliti nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë që i krijoi portieri durrsak pas një gafe. Minutat deri në fund rrodhën me shpejtësi dhe pa asnjë rast vtjetër të rrezikshëm, tregues ky i apatisë që përfshiu të dyja skuadrat, Partizanin e kënaqur me rezultatin ndërsa Teutën të afuqishme për të bërë më shumë në këtë duel. Nëse Partizani ngjitet në kuotën 23 me vetëm 3 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, situata bëhet edhe më serioze për Teutën që mbetet në vendin e 8 me po kaq pikë.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat