Tirana-Partizani, ndahen në paqe

Futboll

Tirana-Partizani, ndahen në paqe

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 16:01
Pamje nga ndeshja e sotme

Barazim pa gola (0:0), gjithçka u mbyll në paqe pas 27 minutave të luajtura në derbin Tirana-Partizani ku sfida u ndoq sërish nga një numër i madh tifozësh. Bardheblutë e Mirel Josës dhe të kuqtë e Sulejman Starovës e nisën ndeshjen në minutën e 63 por emocionet në “Selman Stermasi” munguan, duke mos justifikuar aspak interesin e tifozëve të pranishëm në stadiumin kryeqytetas. Tirana e pakarikuar dhe pa fantazi e fuqi fizike u dominua në lojë nga Partizani që tentoi deri në fund për ta fituar këtë ndeshje. Skuadrat hynë në fushë me vetëm një ndryshim për Partizanin pasi Batha nuk ia doli duke i lënë vendin Bardhit. 5 minutat e para Partizani tregoi më shumë grintë, por në krahun tjetër ishte Hoxha që evitoi një situatë të rrezikshme kur përballë Cisse arriti të bllokonte një top të rrezikshëm. Partizani mori frenat në minutën e 67. Vila kontrolloi saktësisht dhe dhuroi një top për Bardhin që nuk arriti të shënjestronte portën e Likës.

Kaq mjaftoi për të ndezur shpirtrat e tifozëve të kuq, ndërsa në pjesën tjetër të stadiumit, bardheblutë nuk rreshtën për asnjë moment, duke mbështetur skuadrën e tyre, pavarësisht sinjaleve të dobëta që skuadra e Josës dha në fushë. Nervozizëm për bardheblutë që gabuan shumë dhe këtë e tregon qartë edhe gafa e Genti Muçës në të 75-ën duke e detyruar Karabecin të bënte një ndërrhyrje për të verdhë ndaj Ekuban. 3 minuta më vonë Josa kërkoi të ndryshonte marsh duke parë se skuadra e tij ishte e humbur në fushë. Muzaka zuri vendin e Aquah për më shumë shpejtësi dhe fantazi në manovër. Asgjë e re, muzikë e vjetër për skuadrën pritëse sepse Tirana nuk e pa asnjëherë portën e Hoxhës. 2 minuta nga fundi ishte Karabeci që u detyrua të ndalte sërish në mënyrë të parregullt Vilën pas një gabimi në sulm, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Shumë pak minuta në dispozicion të Partizanit për të tentuar goditjen e madhe pasi mjaftoi vetëm 1 minutë shtesë që ndeshja të mbyllej me rrjeta të paprekura. Barazimi i dytë rresht me rrjeta të paprekura për derbin e kryeqytetit dhe nga një pikë për të dyja skuadrat që mungohen të limitojnë dëmet. 22 pikë për skuadrën e Josës që shkon në -5 pikë nga vendi i parë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e tretë me 2 pikë më shumë. Të kuqtë sfidojnë të Hënën Kukësin në “Elbasan Arena”, ndërsa Tirana udhëton drejt Vlorës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat