Korabi “zhvendoset” në “Zeqir Ymeri”

Futboll

Korabi “zhvendoset” në “Zeqir Ymeri”

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 18:32
Stadiumi "Zeqir Ymeri"

Nuk do të jetë më stadiumi Selman Stërmasi streha e Korabit në këtë sezon të Kategorisë Superiore. Klubi dibran ka zgjidhur me konsensus marrëveshjen me drejtuesit e Tiranës duke u larguar përfundmisht nga impianti kryeqytetas për t’u zhvendosur në Kukës. Që nga ky moment të gjitha ndeshjet si skuadër pritëse në kampionat, Korabi do t’i luajë në Zeqir Ymeri. Drejtuesit e klubit dibran kanë arritur marrëveshjen me klubin e Kukësit dhe sfidën e radhës ndaj Teutës do ta zhvillojnë pikërisht në qytetin verior. Mungesa e një impianti për të luajtur si ekip pritës në këtë sezon ka qenë një problem më vete për Korabin, që për shkak se stadiumi i Peshkopisë nuk plotëson kushtet e licensimit, i duhet të luajë larg qytetit gjatë gjithë kampionatit duke mos patur një mbështetje të shumtë në numër nga ana e tifozëve dibranë.

Lajmi për zgjidhjen me konsensus të marrëveshjes me stadiumin Selman Stërmasi dhe për zhvendosjen në Zeqir Ymeri u bë i ditur nga klubi i Korabit në faqen zyrtare. Kukësi është më afër Peshkopisë se Tirana në distancë gjeografike dhe në këtë moment të vështirë me skuadrën që pozicionohet në fund të klasifikimit, Korabi ka nevojë për një mbështetje sa më të madhe të tifozëve në shkallët e stadiumit, kjo është arsyeja kryesore që skuadra dibrane është transferuar në qytetin verilindor. Takimi i radhës ndaj Teutës është shumë i rëndësishëm për Korabin pasi luan përballë një rivali direkt në garën për mbijetesë me të besuarit e Gerd Haxhiut që në këtë sfidë nuk kanë rrugë tjetër vec fitores.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat