Partizani projekton rikthimin në Tiranë

Futboll

Partizani projekton rikthimin në Tiranë

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 18:45

Partizani mendon rikthimin në kryeqytet për ndeshjet si skuadër pritëse në këtë sezon të Kategorisë Superiore. Pikërisht në stadiumin “Selman Stërmasi”, të rivalëve të betuar të Tiranës. Kjo edhe për faktin se bardheblutë prishën akordin me Korabin, që deri në këtë pjesë të sezonit i zhvillonte ndeshjet si pritës në këtë impiant.

Drejtuesit e klubit të kuq po mendojnë seriozisht të lënë mënjanë rivalitetin me bardheblutë, për të bërë të mundur që të qëndrojnë më pranë tifozëve dhe për të siguruar mbështetje maksimale deri në fund të sezonit. Deri më tani, Partizani ka luajtur 5 ndeshje si pritës në “Elbasan Arena”, ku për hir të së vërtetës prezenca e tifozëve nuk ka qenë numrin e pretenduar, për një skuadër që synon titullin kampion. Ideja që po qarkullon në kampin e kuq u konfirmua për programin Gol pas Goli në Supersport, nga mesfushori Lorenc Trashi.

Lorenc Trashi

Drejtuesit e klubit na kanë pyetur nëse dëshirojmë që të luajmë në Selman Stërmasi, për ti zhvilluar ndeshjet si pritës në Tiranë dhe për të qenë pranë tifozëve tanë.

Rikthimi i Partizanit në kryeqytet është ende në fazën e diskutimeve, mes palëve të përfshira, ku përveç dy klubeve nuk mund të anashkalohet edhe qëndrimi i dy tifozerive. Gjithçka pritet të konkretizohet në orët në vazhdim, për të kuptuar nëse Tirana dhe Partizani do të arrijnë një marrëveshje, nga e cila bardheblutë do të përfitonin financiarisht, ndërsa të kuqtë do të garantonin mbështetje më të madhe në tribuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat