Man. City-Chelsea, sfida e gjigandëve

Futboll

Man. City-Chelsea, sfida e gjigandëve

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 22:20
Diego Costa

Mesditë e zjarrtë, në Angli do të jetë ora 12:30, 13:30 me atë të Tiranës, kur këtë të dielë në Etihad, Antonio Conte dhe Pep Guardiola do të gjenden përballë për të parën herë në karrierën e tyre si trajnerë. Manchester City- Chelsea është kryendeshja e javës së 14-të të Premier League, por në një këndvështrim më të gjerë, edhe sfida mes dy favoriteve të mëdha për të fituar titullin kampion.

“Blutë” e trajnerit italian prezantohen në shtëpinë e rivalëve më të fortë në një gjendje vërtet të mirë pas 7 fitoreve radhazi që i kanë lejuar të rrëmbejnë vendin e parë në klasifikim. Pas disfatës në shtëpinë e Arsenalit ku u mund 3-0 në 24 shtator Conte ka ditur ta udhëheqë skuadrën e tij vetëm drejt suksesit duke shënuar 19 gola dhe duke pësuar vetëm 2. Në këtë ecuri përballë tij kanë rënë dy skuadra të mëdha, manchester United që u mposht 4-0, dhe Tottenham , skuadër ndaj së cilës Chelsea u imponua 2-1.

Ka qenë me oshilacione gjatë kësaj kohe ecuria e djemve të Guardiolës, që 3 javë më parë u ndalën 1-1 në shtëpinë e Midllesbroug, por të paktën kanë hedhur pas shpatullave periudhën negative të tetorit kur morën vetëm 2 pikë në tre ndeshje. Sigurisht që nuk bëhet fjalë vetëm për një sfidë mes dy trajnerësh, pasi jashtëzkonisht intriguese është dhe ajo mes dy bomberave, “snajperit” Kun Aguero dhe “të ringjallurit” Diego Costa. të dy janë në krye të klasifikimit të golashënuesve me nga 10 gola për kokë. Aguero kërkon konfirmimin pasi prej tre vitesh shënon më shumë se 20 gola në sezon në Premier League, ndërsa Diego Costa është duke shfaqur gjithë vlerat e tij, pasi ishte pranë dështimit me Mourinhon dhe Hiddink. Por nuk janë vetëm ata, do të ketë një sfidë brenda sfidës edhe mes dy mbrojtësve të superpaguar, Stones me David Luiz, apo ajo mes dy blerjeve sugjestionuese të verës, Gundogan e Kante. Me pak fjalë, është një duel në frymën e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat