Korabi-Teuta, sfida për t’i dhënë fund krizës

Futboll

Korabi-Teuta, sfida për t’i dhënë fund krizës

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 18:35
ilustrim

Një 90 minutësh për ti dhënë një shkelm krizës. Në Zeqir Ymeri këtë të dielë për takimin e radhës nuk luan si zakonisht një pretendent për titullin, Kukësi, skuadra e shtëpisë, por dy skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit. Korabi dhe Teuta përballen të dyja me një synim, për të parë pakëz dritë në fund të tunelit, të dyja vijnë nga një periudhë e errët dhe për të dy skuadrat kundërshtari i radhës përfaqëson mundësinë për të gjetur kthesën e shumëpritur. Në kampin dibran trajneri Haxhiu ende nuk ka gjetur fitoren e parë dhe ajo cka u pa e mirë ndaj Luftëtarit u shkërmoq shpejt në Shkodër ku disfata 3-0 ndaj Vllaznisë forcoi bindjen se misioni i mbijetesës është shumë i vështirë për Korabin që mbetet skuadra më e rrezikuar për rënien nga Kategoria. Trajneri paralajmëroi masa dhe mbetet për tu parë nëse skuadra e ka marrë mesazhin.

Rastësi apo jo, fitoren e vetme në këtë kampionat Korabi e ka siguruar pikërisht ndaj Teutës, një 2-3 emocionues në Durrës, ishte një ndeshje e mbarë për Plakun dhe Nexhipin, që këtë sezon e kanë vuajtur mungesën e fatit, ndërkohë që pati edhe dy kartona të kuq, për Shetën dhe Lamcen që tanimë nuk është më pjesë e Teutës, ndërkohë që edhe mbrojtësi i Korabit do të mungojë pasi është i skualifikuar. Bregdetarët vijnë pas 4 humbjeve radhazi që padyshim kanë ndikimin e tyre në ambientin e skuadrës durrsake, aty ku Magani po has vështirësi për të gjetur kthesën e domosdoshme. Teuta të paktën një gol për ndeshje po e shënon, por edhe pëson shumë dhe trajnerit për të gjetur sërish rrugën që sezonin e kaluar e coi në Europë i duhet që së pari të blindojë mbrojtjen. Në Zeqir Ymeri Korabi dhe Teuta vijnë me një mision të përbashkët, për ti dhënë një shkelm krizës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat