Tirana-Partizani, mungon goli

Futboll

Tirana-Partizani, mungon goli

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 18:53
Tirana-Partizani

Pa gola, për të dytën herë rradhazi. Këtë herë nuk mjaftuan dy ditë për të shënuar një, edhe pse rastet nuk munguan. Tirana e Partizani edhe në përballjen e tyre më të ndier konfirmuan vështirësitë respektive për të realizuar. Ndër tifozët bardheblu pas përfundimit të ndeshjes shumëkush mund ti jetë rikthyer atij rasti të humbur nga Cisse, më i pastri i ndeshjes. Sikur të kishte shënuar, por sulmuesi nga Mali edhe pse po i afrohemi gjysmës së sezonit ende nuk e ka festuar golin e tij të parë në kampionat dhe Ede vështirë se do të shihet këtë vit në fushën e blertë. Te Tirana një bomber aty para, mbetet problem. Talenti i Mervielle po kthehet në një temë të padiskutueshme, por kongolezi gjithashtu la përshtypjen e një lojtari shumë të lehtë për një derbi të fortë në përplasjet fizik. Një cudi më vete ishte fikja e Tiranës, 30 minuta në kufijtë e perfeksionit, me bardheblutë që ishin superiorë në qarkullim e raste por pastaj u shuan dalëngadalë duke ju dorëzuar terrenin rivalëve të kuq.

Vështirë ta konsiderosh një strategji taktike, por po aq cudi të shkakton nëse mendon se bardheblutë shpenzuan shumë dhe pastaj ulën ritmin në aspektin fizik. Nëse kjo është e vërtetë, për Josën ky duhet të jetë një problem i madh. Te Partizani ndodhi e kundërta, një skuadër që u rrit dalëngadalë, racionale dhe kur shikon që nuk rrezikon shumë pas patjetër që guxon më tepër para. Megjithatë Ekuban, kryegolashënuesi i ekipit edhe këtë herë nuk shënoi edhe pse ishte një rrezik konstant për mbrojtjen bardheblu. Italo-ganezi pavarësisht progresit konfirmon se nuk është një 9 klasike dhe shpesh i duhej të kthehej pas për ta nisur inisiativën e tij nga tre të katërtat, padyshim që talentet premtues në kampin e kuq nuk mungojnë dhe fintja e Bardhit është një shembull perfekt, por gjithsesi te Partizani sulmi nuk është se shkëlqen. Nëse i hedh një sy tabelës shikon se në 13 javë kampionat, Tirana e Partizani kanë shënuar nga 13 gola, vetëm dy më shumë se Vllaznia e 3 më tepër se Teuta e vendit të parafundit. Kur shënon kaq pak, pavarësisht asaj që prisnim, vështirë se mund të ndodhë ndryshe në një derbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat