Shkëndija fiton bindshëm, në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë

Futboll

Shkëndija fiton bindshëm, në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 16:52
Futbollistët e Shkëndijës

Shkëndija e Tetovës eliminon Shkupin në mënyrë bindëse nga Kupa e Maqedonisë në futboll, duke e mundur me rezultat bindës 4:0 në takimin e kthimit të fazës çerekfinale. Skuadra kuqezi tregoi lojë shumë më të mirë dhe kjo rezultoi me fitoren bindëse, ndërsa në sfidën e parë kishte barazuar 0:0. Ky ishte ballafaqimi mes skuadrave shqiptare, por Shkëndija tregoi cilësitë e saja dhe pa ndonjë problem siguroi biletën për më tutje. Duke dashur të zgjidhin fatin e gjysmëfinales sa më parë, futbollistët ‘kuqezi’ nisën fuqishëm që në start të takimit. Në minutën e katërt Zhunior asiston për Ibraimin, goditja e të cilit ndalet nga Zendeli, ndërsa portieri mysafir shpëtoi portën e tij edhe në minutën e 10-të kur Imeri u gjet në pozitë ideale. Rezultati u zhbllokua në minutën e 11-të kur Ibraimi lëviz bukur në zonë dhe me një të djathtë precize shënon për 1:0. Në minutën e 25-të Zhunior niset në kundërsulm, kombinon bukur me Ibraimin dhe pasi merr asistim në kohë shënon për 2:0. Shkëndija në vazhdim humbi të tjera shanse shënimi, ndërsa në fund të pjesës së parë portieri mysafir Zendeli ndal me faul Ibraimin në zonë dhe shkakton penalti, të cilën në gol e konverton Ibraimi për epërsi 3:0. Pjesa e dytë nisi me një tentim të Lambin që kontrollohet nga Jovanovski, ndërsa në anën tjetër në minutën e 61-të Ibraimi godet saktë nga distanca me topin që ndalet në rrejtë për epërsi 4:0. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe Shkëndija kalon më tej në garat e Kupës. Në gjysmëfinalen janë kualifikuar: Shkëndija, Bregallnica, Vardari dhe Pelisteri. Shkëndija  synon ta mbrojë trofeun e Kupës, e cila pret hedhjen e shortit që të mësojë rivalin gjysmëfinalist.

Shkëndija-Shkupi 4:0 (3:0)

Stadiumi i qytetit në Tetovë

Shikues: 1 500

Gjyqtarë: Zoranço Temelkov, Martin Petkovski, Toshe Icev.

Shënues: Ibraimi (11’, 45+1’, 61’),  Zhunior 25’.

Kartona të verdhë: Adili (Shkupi)

Shkëndija: Jovanovski, Bejtullai, Alimi (Zejnullai 62’), Ibraimi (Kasami 82’), Totre, Imeri, Murati, Zhunior (Asani 72’), Pollozhani, Todorovski, Vujçiç.

Shkupi: Zendeli, Gligorov, Bajrami, Adili, Zuka, Iseni, Lambin, Osmani (Janevski 62’), Asani, Llazarevski, Arif.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat