Problemet e Partizanit, goli e Ekuban në “hije”

Futboll

Problemet e Partizanit, goli e Ekuban në “hije”

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 18:09
ilustrim

Tashmë te Partizani nuk kanë më asnjë dyshim: Mungesa e një bomberi është ajo që po i penalizon të kuqtë në garën drejt titullit. Barazimi me Kukësin ishte i pesti për të besuarit e Starovës në gjashtë ndeshjet e fundit. Ndeshja e gjashtë në 14 javë të luajtura, ku kryeqytetasit nuk arrijnë të shënojnë në portën kundërshtare. Asnjë fitore në sfidat me rivalët direktë, duke nisur nga humbja në fazën e parë me Kukësin, për të vazhduar me barazimet ndaj Skënderbeut dhe Tiranës.

Statistika alarmante për një ekip pretendent. Padyshim skuadra që prodhon më tepër volum loje dhe raste përpara portës, por Partizani vuan në finalizim. Khaleb Ekuban mbetet golashënuesi më i mirë i të kuqve, me 6 rrjeta në këtë sezon. Megjithatë lojtari i huazuar nga Chievo në Serinë A italiane nuk është më ai i javëve të para, ku gjatë periudhës Shtator-Tetor cilësohej vendimtar me golat e tij. Sulmuesi me origjinë nga Gana dhe pasaportë italiane, ka shënuar vetëm një herë në gjashtë sfidat e fundit, duke i dhënë të kuqve fitoren minimale përballë Teutës.

Barazimet e fundit ndaj Kukësit dhe Tiranës në derbi, por edhe pikët e humbura në përballjet ndaj Luftëtarit dhe Vllaznisë kanë bërë që Partizani të humbasë terren. Mungesa e saktësisë përpara portës i ka lënë të besuarit e Starovës me 3 pikë më pak në renditje nga kryesuesit e Kukësit dhe Skënderbeut, në një kohë kur të kuqtë i kishin të gjitha shanset për të qenë ata kryesues.Për të fituar titullin nevojitet mbrojtja më e mirë, megjithatë për të arritur te fitoret, përballë çdo kundërshtari të madh e të vogël, janë të domosdoshme golat. Ato që Partizanit i mungojnë në këtë fazë të dytë të sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat