Shpëtoni Laçin, thirrje edhe për Bashkinë

Futboll

Shpëtoni Laçin, thirrje edhe për Bashkinë

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 18:13
ilustrim

Nëse shënon një gol në frymën e fundit, dhe arrin të rikuperosh nga disavantazhi i dy golave në barazim padyshim që duhet të jesh i lumtur, por nuk ishte ky rasti në Laci-Luftëtari. Fytyra të zymta, tifozë të irrituar e padyshim zhgënjim edhe në stol. Për Lacin, pavarësisht se si shkoi, ishte një ndeshje që duhej fituar, me cdo kusht. Këmbanat e alarmit për një mbijetesë të vështirë po bëhen gjithnjë e më të forta, deri shurdhuese atje në Lac, ku jo shumë kohë më parë ishin mësuar të fitonin Kupa, të shkonin në Europë e të merrin rezultat rregullisht përballë të mëdhenjve, duke u kthyer në faktor përcaktues madje në luftën për titullin. Laci i sotëm nuk është më as një hije e atij të dikurshmit.

Në vendin e parafundit të klasifikimit, në zonën e rënies ndodhet një skuadër e krijuar thuajse e tëra nga e para, pas eksodit të verës. Vetëm 7 gola të shënuar në 14 javë kampionat, me shpresën kryesore të sulmit, brazilianin Akuino që arriti të thyente agjërimin me dygolëshin e tij të parë pikërisht ndaj Luftëtarit. Trajnerit Ndreu i duhet të menaxhojë një situatë të vështirë për shkak të mangësive në organikë, dhe bindja se te ky Lac duhet ndërhyrë ekziston jo vetëm në radhët e drejtuesve e stafit teknik, por dhe mes tifozerisë që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në shkallët e stadiumit. Shikohet me shpresë drejt merkatos së Janarit si e vetmja dritare shpëtimi, dhe në këtë aspekt një dorë duhet ta japë edhe Bashkia. Drejtues të saj në konfidencialitet shprehen se duhet dhe do të ndërhyjnë për të ndihmuar skuadrën pasi situata është kritike, Shpëtoni Lacin, është një thirrje edhe për ta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat