Tirana, Daja: Maksimumin në dy sfidat e mbetura

Futboll

Tirana, Daja: Maksimumin në dy sfidat e mbetura

Më: 17 dhjetor 2016 Në ora: 18:55
Daja

Pesë ndeshje radhazi pa fitore. Te Tirana në momentet e fundit ndryshoi orari i ndeshjes me Luftëtarin, që do të zhvillohet në Selman Stërmasi në orën 14:00, por të pandryshueshme mbeten objektivat e bardhebluve. Mesfushori Asion Daja shfaqet i kujdesshëm përpara sfidës me gjirokastritët, por nuk i fsheh ambiciet.

“Është një ndeshje e rëndësishme për ne, pasi Luiftëtari ka treguar që di të luajë shumë mirë futboll. Meriton respekt edhe prej përballjes së fazës së parë ku na shkaktuan humbje. Ne, por edhe asnjë ekip tjetër nuk ka luksin që të mendojë për ndeshje të lehta, sepse edhe Korabi na barazoi në shtëpi, pasi ishim ne të parët në avantazh. Nuk na lejohen këto mendime. Duhet të marrim maksimumin në këto dy ndeshje përpara mbylljes së vitit dhe më pas do të kemi kohë të mendojmë për objektivat e tjera.”

Daja foli edhe për ecurinë jo të kënaqshme të skuadrës, duke evidentuar edhe elementin që i mungon të besuarve të Mirel Josës.

“Duke qenë se jemi Tirana, kemi si detyrim që ta fitojmë çdo ndeshje. Në javët e fundit kemi pasur edhe ndeshje të vështira si me Kukësin apo derbin, ku edhe barazimet janë rezultate të pranueshme. Pavarësisht si shkuan dy ndeshjet e fundit, ne kemi treguar që dimë të luajmë futboll. Këtu marr shkas nga ndeshja me Skënderbeun, ku goditëm dy shtylla, u ndëshkuam pak herë, po ashtu edhe një penmallti e dyshimtë. Mendoj që problemi nuk është te loja e Tiranës, por ka ndikuar disi edhe mungesa e fatit.”

Prej mungesave të Muçës dhe Kërçikut në mbrojtje, 26-vjeçari pritet të aktivizohet sërish në repartin difensiv, ku mbetet për tu përcaktuar nëse do të luajë në qendër apo si mbrojtës i djathtë.

“Ende nuk është vendosur, por nëse do të jetë për nevojat e skuadrës, siç tregova unë dhe ashtu si kanë treguar shokët e mi, ne jemi gati të luajmë ku ka nevojë ekipi. Për më tepër nuk është ndonjë sakrificë e madhe, sepse futboll po luajmë. Përballë Luftëtarit, zgjidhja, ose më e rëndësishme për ne është që të fitojmë, pastaj nëse shënojmë shpejt apo vonë kjo nuk ka rëndësi.”

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat