Tirana gjen suksesin, Luftëtari thyhet në kryeqytet

Futboll

Tirana gjen suksesin, Luftëtari thyhet në kryeqytet

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 16:11
Tirana

Taku dhe Merveille frymëzojnë Tiranën për të kaluar pengesën e vështirë të Luftëtarit në “Selman Stermasi” me nga një gol në çdo pjesë. Bardheblutë shkelmojnë krizën e rezultateve falë një 90 minutëshi ku rrezikuan shumë por në fund arritën të dilnin me tre pikë në sfidën kundër skuadrës surprizë të këtij sezoni. Menjëherë Luftëtari kërcënues me Bregun që dhuroi një top për Beqirin që me kokë shënjestroi Likën, ndërsa në minutën e 6, Vucaj kërkoi golin nga jashtë zonës por goditja rezultoi e pasaktë. Ishte Merveille që tentoi të karikonte skuadrën e tij me një goditje nga jashtë zonës  por Ruci i vëmendshëm nuk lejoi që rezultati të zhbllokohej. Skuadrat pa fuqi sulmuese nuk gjetën hapësira në mbrojtje por rastin e parë të vërtetë e regjistroi Luftëtari në minutën e 44. Reginaldo i vetëm me portën përpara syve të tij finalizoi në mënyrën më të keqe të mundshme duke falur skuadrën e Josës. Në krahun tjetër, Taku nga e djathta e sulmit mori përsipër të bënte fenomenin dhe ia doli mbanë me një të majtë kirurgjikale.

Pjesa e dytë nisi në sulm për gjirokastritët që nuk u pajtuan me rezultatin dhe me hyrjen në fushë të Abazajt, loja e bluzinjve ndryshoi. Në të 55-ën, miqtë pretenduan për prekje me dorë në zonën e rreptësisë, ndërsa pak sekonda më pas Merveille e stampo topin në shtyllë por goli i Halilit rezultoi i parregullt. Luftëtari fitoi terren dhe ishte Bregu që iu afrua golit por  goditja e vlonjatit u ndal nga Taku. Abazaj ngjali sërish panik në zonën e Tiranës por Lika në pozicion nuk lejoi që rrjeta bardheblu të prekej. Në krahun tjetër,  Muzaka kërkoi golin personal nga goditja e dënimit por finalizimi ishte i pasaktë. Ishte Merveille që qetësoi trajnerin Mire Josa me golin e dytë që erdhi në minutën e 75-të.

Një gol që mbylli ndeshjen për bluzinjtë që nuk tentuan t’i afroheshin më portës bardheblu, ndërsa Tirana nuk arriti të thellonte avantazhin. 3 pikë të arta për bardheblutë që rikthehen te fitorja pas 5 ndeshjeve dhe shkëputen me 5 pikë nga Luftëtari që mbetet në vendin e 5 të klasifikimit me 21 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat