Tirana rigjen Muçën e Akua, pritet një sulmues

Futboll

Tirana rigjen Muçën e Akua, pritet një sulmues

Më: 8 janar 2017 Në ora: 14:39
Muca

Lajme të mira për Tiranën nga mini-faza përgatitore që skuadra po zhvillon në Turqi. Zv.kapiteni Gentian Muça dhe mesfushori Ruben Akua janë rikuperuar plotësisht dhe iu bashkuan pjesës tjetër të grupit në ditën e dytë të stërvitjes në Antalia.Mbrojtësi pësoi një dëmtim muskulor gjatë Dhjetorit të kaluar, duke e mbyllur përpara kohe vitin. Rikthimi i Muçës do të jetë një garanci për gjysmën e mbetur të sezonit në repartin difensiv. Edhe rikthimi i Ruben Akua është një lajm mjaft i mirë për bardheblutë. Ganezi ishte dëmtuar në ndeshjen e parafundit të fazës së dytë të kampionatit përballë Luftetarit, ndërsa me hapësirat e krijuara në mesfushë pas largimeve të Muzakës dhe Vucaj-t do të kërkojë të jetë protagonist në skuadër.

I vetmi që vijon stërvitjet e diferencuara te bardheblutë është mbrojtësi Dorian Kërçiku, ndërsa përveç rikuperimeve Tirana ka hedhur sytë edhe nga merkato. Me malianin Moctar Cissé që në dhjetë ndeshje nuk ka shënuar asnjëherë, nigerianin Ede që ka realizuar një gol në 7 ndeshje dhe kongolezin Moise që regjistron 15 ndeshje dhe vetëm një rrjetë objektivi primar mbetet gjetja e një sulmuesi goli për trajnerin Mirel Josa.

Kryeqytetasit presin të provojnë sulmuesin Petru Leuca. 26-vjeçari nga Moldavia do të udhëtojë drejt Turqisë për tu testuar me bardheblutë. Së fundmi Leuca ka qenë pjesë e Dacias në Moldavi ndërsa me fizikun që ka jep premisa se mund të jetë qendër-sulmuesi me peshë që i mungon Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat