Partizani humbet 3-1 miqësoren e luksit me Fenerbahçe

Futboll

Partizani humbet 3-1 miqësoren e luksit me Fenerbahçe

Më: 11 janar 2017 Në ora: 23:32
Partizani

Partizani humbi 3-1 miqësoren e parë turke kundër Fenerbahces. Ndaj gjigandëve turk, të kuqtë paguan jo vetëm diferencat teknike mes dy ekipeve por dhe faktin që Fenerbahce ishte shumë më përpara me fazën përgatitore gjë që u vu re që në fillimin e ndeshjes me turqit që shënuan dy gola të shpejtë duke shfrytëzuar dhe freskinë më të madhe fizike. Pas vetëm pesë minutash, Tufan shënoi me një veprim spektakolar duke hyrë mes mbrojtësve të Partizanit, ndërsa në të 8-tën ishte Fernandao që ngriti rezultatin në 2-0.

Pavarësisht goditjes së shpejtë Partizani e mori veten dhe ekuilibroi lojën aq sa në fundin e pjesës së parë goditi dhe traversën. Në pjesën e dytë për të kuqtë u aktivizua dhe Fejzullahu që u rikthye në fushë pas një mungese prej më shumë se një muaji. Gjithsesi golin e 3-të e gjeti sërish ekipi turk, që në minutën e 81-të realizoi dhe golin e 3-të me Koybasin. Për Partizanin ndërkohë dy minuta më pas, Ekuban mundi të shkurtojë diferencën duke treguar se dhe në këtë vit të ri nuhatjen e portës nuk e ka humbur. U mbyll 3-1 për Fenerbahcen me Partizanin që gjithsesi zhvilloi një test të mirë miqësor ndaj një rivali të madh duke i dhënë përgjigjet e duhura dhe trajnerit të tij, Sulejman Starova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat