Kualifikim dhe rekord historik për Real Madrid!!!

Futboll

Kualifikim dhe rekord historik për Real Madrid!!!

Më: 12 janar 2017 Në ora: 23:37
Real Madrid

Real Madrid është kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, me rezultatin e përgjithshëm 6-3, por barazimi 3-3 ndaj Sevilla ka shkruar historinë e futbollit spanjoll dhe duke i shtuar fitoren 3-0, në ndeshjen e parë në “Bernabeu”, skuadra e Zinedine Zidane merr “biletën” për raundin tjetër. “Los Blancos” kompletuan një seri rekord, që nuk kishte ndodhur kurrë me 40 ndeshje të njëpasnjëshme pa asnjë humbje, të vetmit në historinë e futbollit iberik me një pathyeshmëri kaq të gjatë.

Cristiano Ronaldo u la pushim nga madrilenët, që prej kohësh nuk kanë as shërbimet e Gareth Bale. Në minutën e dhjetë Sevilla gjeti golin e parë, i cili ngjalli një shpresë të vogël, pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë në “Bernabeu”. Sarabia dha një kros të cilin Danilo, jo vetëm që nuk e largoi, por e çoi topin në rrjetën e tij. Real Madrid reagoi sapo nisi pjesa e dytë me një gol mbresëlënës nga Asensio, i cili vrapoi me topin për rreth 60 metra dhe mposhti portierin kundërshtar, gjatë një kundërsulmi.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në pjesën e dytë, në minutën e dhjetë, Sevilla shënoi gol. Këtë herë ishte debutuesi Jovetic ai që tundi rrjetën. Sulmuesi nga Mali i Zi erdhi para dy ditësh nga Inter. Sevilla nisi të besojë sado pak te mrekullia, kur kapiteni Iborra shënoi me portën e boshatisur duke i çuar shifrat në 3-1, megjithatë, pak më vonë, Sergio Ramos shënoi golin e dytë për Real Madrid duke mbyllur çështjen e kualifikimit. Qendërmbrojtësi tundi rrjetën me një penallti stil “Panenka”. Madrilenët u përpoqën të shmangnin humbjen për të mbrojtur rekordin dhe ia dolën në aksionin e fundit të kohës shtesë me kombinimin Marcelo-Benzema, që solli golin e barazimit 3-3 nga francezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat