Partizani konfirmon bisedimet me Ibraimin

Futboll

Partizani konfirmon bisedimet me Ibraimin

Më: 16 janar 2017 Në ora: 14:57
Agim Ibraimi

Është thënë prej kohësh se Partizani është i interesuar për shërbimet e lojtarit të Kombëtares së Maqedonisë, Agim Ibraimi, që konsiderohet edhe si dhurata e presidentit Demi për ekipin. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe drejtori i Përgjithshëm i të kuqve, Genc Tomori, gjatë një prononcimi për emisionin “Fair Play” në “News 24”.

“Agim Ibraimi është një lojtar që na intereson dhe prej ditësh vijojnë bisedimet. Ibraimi nuk është i vetëm, pasi po bisedojmë edhe me 3-4 lojtarë të tjerë, por nuk mund të bëjmë publike emrat e tyre. Të gjitha ekipet kishin planet e tyre në këtë merkato, ashtu si edhe ne kishim tonat. Ndaj këto afrime që kemi kryer, nuk janë rastësore.

Me Cetkoviçin patëm biseduar që në verë, por ai ka ikur te Sarajeva. Patëm një akord që, në rast se do të ikte nga andej, do t’i bashkohej Partizanit. Ndërsa Sukajn nuk e quajmë përforcim, pasi ai gjithnjë është konsideruar si pjesë e skuadrës. Përforcimet kanë qenë të atilla që të rrisnim forcën e grupit. Pasi synimi ynë është fitimi i titullit kampion, si dhe paraqitja dinjitoze në Kupat e Europës. Si fillim duam titullin”, u shpreh mes të tjerave drejtori Tomori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat