Tianjin “zbarkon” në Madrid, ofertë joshëse për Benzema

Futboll

Tianjin “zbarkon” në Madrid, ofertë joshëse për Benzema

Më: 17 janar 2017 Në ora: 15:07
Benzema

Futbolli europian mund të humbasë një tjetër lojtar të rëndësishëm për shkak efektit kinez. Një ofertë e çmendur nga vendi i Lindjes së Largët ka ardhur në adresë të Realit të Madridit për të rrëmbyer sulmuesin francez, Karim Benzema. Është klubi i Tianjin Quanjian që ka prezantuar ofertën në adresë të presidentit Florentino Perez. Skuadra e drejtuar nga Fabio Canavaro arriti të hiqte nga duart e Juventusit vetëm pak javë më parë belgun Witsel, ndërsa tashmë kërkon të kompletojë organikën me një sulmues që premton gola në vazhdimësi. Pas tentativave për të joshur Diego Costan, Falcaon dhe Mauro Icardin, trajneri italian duket se ka gjetur lojtarin ideal për skuadrën e tij.

Lajmin e bën të ditur vetë pronari i klubit, Shu Yuhui, sipas të cilit, as rregulli i vendosur nga federata për aktivizimin e vetëm tre të huajve në fushë, nuk do ta ndalojë të ndërtojë një skuadër yjesh. Ai shton se zërat për interesim edhe ndaj Diego Costas janë të vërtetë, por sipas rregullave të reja, klubi nuk mund të kalojë kufirin e caktuar të pagave dhe në këtë mënyrë do të limitohet vetëm me pak blerje të bujshme. “Nëse do të na lejonin për të aktivizuar maksimui 5 lojtarë të huaj, do të ndërtoja një skuadër të madhe që këtë sezon”, shton manjati kinez që thekson se ka një bashkëpunim të ngushtë me agjentin Jorge Mendez dhe në të ardhmen nuk përjashton goditje të mëdha, përfshirë edhe Karim Benzema, ofertën në adresë të të cilit nuk e ka zbuluar ende. Tashmë topi mbetet në këmbët e presidentit madrilen, pasi është pikërisht Perez që do të thotë fjalën e fundit për transferimin e francezit, sigurisht pas këshillmit me trajnerin Zinedine Zidane, i cili do të humbiste një lojtar të rëndësishëm në betejën për titullin kampion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat