Thumbon në aeroport

Futboll

Thumbon në aeroport

Më: 19 janar 2017 Në ora: 13:33
Sukaj në aksion

Partizani dhe Tirana kanë qenë në të njëjtin avion në kthimin nga Stambolli në Tiranë, megjithatë mes futbollistëve nuk ka pasur shumë shkëmbime batutash, edhe për shkak të lodhjes që ata kanë përjetuar.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas kanë qenë përfaqësues të mediave që kanë pritur futbollistët dhe trajnerët respektivë që ktheheshin nga minifaza përgatitore. Këta të fundit nuk kanë lënë pa ngacmuar sulmuesin kryesor të të kuqve, duke i përmendur faktin se Tirana ka qenë e ulur në pjesën e parme të avionit në rrugën e kthimit dhe Partizani mbrapa. Por, një gjë të tillë shkodrani e ka marrë me mjaft humor, duke kthyer si përgjigje. “Pak rëndësi ka kjo, pasi ne Tiranën e kemi marrë para”. Sukaj i është referuar faktit që bardheblutë kanë një kohë të gjatë pa fituar një ndeshje derbi dhe se, në vitet e fundit, Partizani është renditur gjithmonë para tyre në renditjen e përgjithshme të Superiores. Sukaj është rikthyer te Partizani pas një aventure te skuadra e Perak në Malajzi, ku ka treguar një formë të mirë, por ka vuajtur edhe nga dëmtimet. Ai do të jetë një siguri më shumë në sulmin e të kuqve. Por, thumbimet e Sukajt në drejtim të Tiranës kanë qenë të pranishme në media edhe pak ditë më parë, kur sulmuesi me një intervistë nga Turqia ka thënë se pret të fitojë dy derbet që kanë mbetur pa u luajtur në këtë sezon, raporton panoramasport.

“Nuk premtoj shumë gola, vij nga një dëmtim, të cilin besoj se e kam kaluar dhe jam bashkuar në stërvitje me skuadrën. Nuk bëj premtime të mëdha, e rëndësishme është që të paktën të fitojmë dy derbet. Ky është premtimi. Meqë i kemi mbyllur 0-0, shpresoj që të mos e mbyllim pa gola dy të tjerët, ky është premtimi im”, kanë qenë fjalët e Sukajt, që shtoi se sheh rivale në garën për titull vetëm Skënderbeun.

“Unë nuk e di se pse nuk e kam frikë Kukësin, me sinqeritet. Nuk e kam frikë edhe duke parë se presidenti i tyre është shumë i angazhuar me skuadrën dhe e bën më të rrezikshëm. Por mendoj se Skënderbeu është rivali kryesor i Partizanit dhe këto dy ekipe janë ata që do të diskutojnë titullin. Shpresoj që ai të përfundojë te ne”, ka thënë sulmuesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat