Kupa e Afrikës, zhgënjen Bregu i Fildishtë

Futboll

Kupa e Afrikës, zhgënjen Bregu i Fildishtë

Më: 21 janar 2017 Në ora: 10:35
Bregu i Fildishtë

Bregu i Fildishtë vazhdon të zhgënjejë në Kupën e Afrikës 2017. Në ndeshjen e dytë të Grupit C, mungoi reagimi i pritur nga “elefantët”, që regjistruan një tjetër barazim, këtë herë 2-2 përballë Republikës Demokratike të Kongos, me këta të fundit që konfirmohen kryesues me 4 pikë. Bregu i Fildishtë e pa veten në disavantazh pas 10 minutave lojë, me kongolezët që zhbllokuan rezultatin me diagonalen e saktë të Kebano-s.

Reagimi i elefantëve erdhi në të 26-tën, me golin e barazimit nga Bony, që devijoi saktë me kokë pas goditjes sës këndit të Gradel. Megjithatë kaluan vetëm dy minuta dhe Kongo riktheu avantazhim me Kabananga-n, i cili realizoi rrjetën e dytë personale në këtë edicion të Kupës së Afrikës.  Në 45 minutat e mbetura, Bregu i Fildishtë rigjeti barazimin me goditjen nga jashtë zonës të kapitenit Serey Die, e devijuar nga Tisserand.

Në ndeshjen tjetër, Maroku regjistroi suksesin e parë, duke thyer 3-1 me përmbysje Togon. Ndeshja filloi menjëherë në disavantazh për afrikano-veriorët, që në të 5-ën u goditën me kundërsulm.

Maroku reagoi menjëherë dhe në harkun e pak minutave përmbysi disavantazhin, duke shfrytëzuar dy topa jo-aktivë. Në të 14-ën Bouhaddouz shënoi nga goditje këndi, ndërsa 7 minuta pas tij Saiss gjeti devijimin e saktë me kokë.

Skuadra marokene mbylli çdo diskutim në të 72-ën me kundërsulmin e bukur të En-Nesyri, që pas shkëputjes prej 30 metrash mposhti portierin Agassa. Në ndeshjet e treta të Grupit C, Togo do të përballet me Kongon, ndërsa Maroku sfidon Bregun e Fildishtë, me çështjen e kualifikimit që mbetet e hapur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat