NBA, Golden State “eklipson” Harden

Futboll

NBA, Golden State “eklipson” Harden

Më: 21 janar 2017 Në ora: 15:10
NBA

Kur Golden State ndez motorët me kapacitet maksimal nuk ka shpresë për askënd në NBA. Këtë leksion e mesoi edhe skuadra më në formë e momentit, Houston Rockets që përballë kalifornianëve u dorëzua pa kushte 125-108 në “Toyota Center”. Suksesi i gjashtë rresht për nënkampionët në fuqi që konfirmon forcën reale dhe detyron ekipin e Mike D’Antoni të ngrejë flamurin e bardhë.

Kevin Durant me 32 pikë dhe Steph Curry me 27 të tjera shkatërruan çdo shpresë të Houstonit për të prekur fitoren pasi ylli vendas, James Harden që këtë sezon ka hedhur kandidaturën për çmimin MVP, u mjaftua me vetëm 17 pikë, 7 ribaunde dhe 11 asiste, i kushtëzuar edhe nga 15 topat e humbur prej skuadrës së tij. Ishte pikërisht bllokimi i Harden çelësi i suksesit të Golden State. I mbyllur mes mureve mbrojtëse të Ëarriors, mjekërroshi i Houston u detyrua të bënte sektatorin në pjesën më të madhe të ndeshjes me vetëm 5 tentativa të sakta nga fusha e lojës. Nuk arritën të tregonin klasin e tyre as Ryan Anderson e Eric Gordon, ndërsa përveç dyshes Durant-Curry edhe Klay Thompson nuk lëshoi terren me 16 pikë, duke udhëhequr mbrojtjen e skuadrës kaliforniane.

Kjo humbje është një sinjal alarmi për Houston sepse në 6 përballjet e fundit ka arritur të fitojë vetëm dy herë, duke u larguar edhe më shumë nga vendi i dytë i Perëndimit, aty ku ndodhen rivalët e San Antonios. Humbje turpëruese edhe për Toronto Raptors që u shkatërrua 78-113 nga Charlotte Hornets. Protagonist absolut Kemba Walker që me 32 pikë, 16 nga të cilat në periodën e tretë, arriti të krijonte diferencën e nevojshme për të vendosur në kasafortë një fitore që i jep shpresë skuadrës së Charlotte pasi ruan pozitat në vendin e shtatë të Lindjes. Në krahun tjetër, DeMar DeRozan regjistroi 23 pikë por Raptors ishin në një nga mbrëmjet më të errëta të sezonit.

E rilindur duket Filadelphia që kaloi 93-92 Portland. 3 suksese rresht dhe 8 në 10 ndeshjet e fundit, skuadra nga Pensilvania duket se është rikthyer në kohët e arta duke eklipsuar paraqitjet horror të dy viteve të fundit. Me Joel Embiid të dëmtuar, Filadelphia u mbështet te dyshja Ilyasova-Covington me 46 pikë në total, ndërsa në krahun tjetër, Damian Lillard regjistroi 30 pikë por pa arritur të rrëmbejë një fitore që do ta vendoste në shina sezonin e skuadrës nga Oregoni. Në Florida, Orlando prishi festën e Milëaukee Bucks dhe  Giannis Antetokounmpo, duke dominuar 112-96. Qëndra greke e Bucks është i pari lojtar helen që do të marrë pjesë në All Star Game që prej vitit të largët 1986. Ai u bllokua përgjatë gjithë ndeshjes nga mbrojtja e skuadrës së Orlandos, e frymëzuar nga Aron Gordon.

Një tjetër humbje edhe për Chicago Bulls që u dominua nga Atlanta Hawks 102-93. Skuadra nga Ilinois po kalon një moment vërtetë delikat duke rrezikuar zonën play off, pavarësisht se në gjirin e saj luan një lojtar i papërmbajtshëm si Jimmy Butler, i cili po zhvillon një nga seznet më të mira në aspektin personal. Në sfidat e tjera, Memphis they Sacramenton 107-91, Utah Jazz kaloi në transfertë Dallas 112-107, ndërsa Los Angeles Lakers u rikthye te fitorja duke u imponuar 108-96 ndaj Indiana Pacers.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat