Allegri-Montella: Në çerekfinale me gazin në maksimum

Futboll

Allegri-Montella: Në çerekfinale me gazin në maksimum

Më: 24 janar 2017 Në ora: 19:38
Allegri

Një çerekfinale që mund të shërbejë për të marrë hak ndaj asaj disfate në finalen e Superkupës së Italisë. Vetëm pak ditë pas ndeshjes së Dohas, Juventusi ka rastin e artë për të marrë hak ndaj Milanit në çerekfinalen e Kupës së Italisë. Trajneri Masimiliano Allegri kërkon një skuadër të ekuilibruar për të shtruar rrugën drejt suksesit të tretë rresht në këtë kompeticion. Marchisio mbetet sërish jashtë skuadrës por edhe Higuain mund ta nisë ndeshjen nga stoli.

“Me siguri do të ketë shumë ndryshime. Nuk zbresim në fushë me të njëjtën skemë loje, por e rëndësishme është sjellja e skuadrës në fushën e lojës. Kemi kuptuar që duhet të pedalojmë më shumë për të dhënë maksimumin. Të dielën ndaj Lazios luajtëm një ndeshje të mirë dhe dua të shikoj të njëjtën sjellje. Milani ka lojtarë të rëndësishëm dhe nuk duhet të fokusohemi te ajo që ndodhi në Doha. Nuk mund të flas për hakmarrje dhe këtë nuk duhet ta mendojnë as lojtarët. Kjo është thjesht një ndeshje e rëndësishme”.

Në krahun tjetër, Vicenzo Montella e pranon se përballë Milani i tij do të ketë një kundërshtar të fortë, por ai nuk pranon që ta vlerësojë këtë ndeshje si një kryqëzim për sezonin aktual të kuqezonjve.

“Kjo është një ndeshje shumë e vështirë dhe nuk duhet parë si një përballje mes dy trajnerëve. Uroj që Juventusi të jetë i zemëruar sepse në rast të tillë do të jenë më pak të qartë në lojë. Ne do të bëjmë maksimumin për të kaluar turin”.

Në fund, Montella la të hapur edhe derën e largimit të Mbaye Niang, duke theksuar se sulmuesi francez nuk do të grumbullohet për sfidën delikate kundër bardhezinjve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat