Kupa e Italisë, ripërsëritet Juve-Milan

Futboll

Kupa e Italisë, ripërsëritet Juve-Milan

Më: 25 janar 2017 Në ora: 17:44
Milan Juventus

Juventus e Milan vihen sërish përballë njëri-tjetrit, për të diskutuar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Kjo do të jetë hera e tretë, që këto dy skuadra luajnë një ndeshje mes tyre në këtë sezon, ku e fundit ishte ajo e Dohas, për Superkupën e Italisë, ku fituese doli skuadra e Montellës pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Sfida tjetër e luajtur mes Juventusit dhe Milanit ishte ajo në kampionat, në “San Siro”, ku edhe këtë radhë ishin “kuqezinjtë” ata që fituan me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të Locatellit.

Në këtë edicion të Kupës së Italisë, Juventus arriti në çerekfinale të kompeticionit pasi eliminoi në 1/8-at e finaleve Atalantën me rezultatin 3-2, në një ndeshje shumë të luftuar. As Milani s’e pati të lehtë përballljen e tij ndaj Torinos, të cilin e mposhti 2-1, falë golavë të Kuçkës e Bonaventurës.

Juventus do të tentojë që të fitojë Kupën e Italisë për të tretin vit radhazi, për t’u bërë e para skuadër që e arrin një gjë të tillë, ndërkohë që Milani do të kërkojë të hakmerret për finalen e humbur sezonin e kaluar, në 30 minutat e kohës shtesë.

Për sfidën e kësaj mbrëmjeje, Juventusi nuk do të ketë në dispozicion Marchision për shkak dëmtimi, ndërsa Montellës do t’i duhet të bëjë pa Niang, që prej ditësh është vënë në qendër të zërave të merkatos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat