Callejon: Çfarë duhet të kemi frikë nga Reali?

Futboll

Callejon: Çfarë duhet të kemi frikë nga Reali?

Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 14:29
Callejon

Me 14-15 shkurt do të zhvillohen ndeshjet e para të tetës së finales së Champions League. Me 14 shkurt do të takohen: Benfica-Dortmund, PSG-Barcelona, ndërsa me 15 shkurt: Real Madridi-Napoli dhe Bayerni-Arsenali.  Skuadra italiane, Napoli, te e cila luan edhe mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, në asnjë formë nuk i frikësohen Real Madridit, kampion në fuqi i Evropës. Sfida e parë do të luhet në Santiago Bernabeu, ku Reali konsiderohet favoritë i madh. Ish futbollisti i Realit, Callejon, tani anëtar i Napolit, thotë se njëherë vëmendjen e kanë te sfida e të premtes (nesër) në Serie A,   ku e presin Genoa-n, pastaj do të përqendrohen për ballafaqimin me Real Madridin. Callejon është intervistuar nga “AS”, megjithatë, thotë: “Deri të shtunën, ne nuk mund të flasim për këtë ndeshje, ndryshe trajneri zemërohet… Është e mahnitshme, nga dita e shortit në qytet nuk flasin për ndonjë gjë tjetër. Ka entuziazëm të madh, napoletanët e meritojnë të jetojnë një gëzim të tillë të madh”, tha Callejon. Ai tregoi ndikimin e menjëhershëm të trajnerit Sarri:

“Ai ka pasur një ndikim të frikshëm mbi grupin dhe sistemin e lojës. Sarri na shpjegoi idetë e tij dhe të gjithë jemi lidhur me të, menjëherë”. Napoli po kalon formë të mirë në Serie A, ku aktualisht janë në vend të tretë me 48 pikë, nëntë me pak se lideri Juventusi pas 23 jave të zhvilluara. Sa i përket gjasave për titull, Callejon thotë: “Ne duhet të jemi më të pjekur, kur trajtojmë gara të caktuara. Ndoshta na duhet edhe pak fat, por mendoj se jemi në rritje”.  Ai flet edhe për Gonzalo Higuainin i cili nga Napoli qe transferuar te Juventusi: “Ka qenë një lojtar i rëndësishëm, shënoi 36 gola dhe është normale që njerëzit nuk kanë dëshirë për ta parë atë me fanellën e Juventusit. Por, ne kemi arritur për t’u përmirësuar edhe pa të”. Callejon paralajmëroi Real Madridin: “Ne jemi shumë të mirë. Mertens dhe Insigne plotësojnë njëri-tjetrin, ndaj shpresojmë të vazhdojmë kështu. Çfarë duhet të kemi frikë nga Reali? Ne jemi në moment të mire, po përjetojmë një seri të madhe rezultatesh pozitive. Ndeshja me Real Madridin në ‘San Paolo’ do të jetë një shfaqje e madhe“.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat