Krasniqi: Kemi material të jashtëzakonshëm

Futboll

Krasniqi: Kemi material të jashtëzakonshëm

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 18:32
Ramiz Krasniqi

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës U-19, Ramiz Krasniqi, tha se ka qenë një ndeshje e mirë testuese e futbollit me ekipin e Otrantit nga Mali i Zi ani se humbën me rezultat 3:2. “Realisht nëse e shohim në mënyrë profesionale dhe praktike më të vërtet jam befasuar për të mirë me paraqitjen e djelmoshave tanë me vetë faktin se kemi luajtur me një skuadër të Ligës së Dytë të Malit të Zi, e cila u paraqit me përbërjen e parë, ku diferenca në moshë dhe në fizikusin e lojtarëve ka qenë e madhe. Ka qenë një kënaqësi e veçantë sidomos loja në pjesën e parë kur jemi përballur thuajse me ritëm të njëjtë të lojës dhe paraqitja ka qenë dinjitoze.

Kemi udhëheq 1:0 që ka qenë befasi dhe më pas Otranti barazoi, kurse në pjesën e dytë skuadra rivale me të gjitha forcat është munduar të bëjë ndryshim në rezultat dhe këtë e ka arritur edhe në saje të gabimi të lojtarëve tanë, gjë e cila ndodh te futbollistët e grupmoshave të reja dhe që nganjëherë edhe mund ta kuptojmë. Edhe pas rezultatit 3:1 futbollistët tanë kanë pasur paraqitje të mirë dhe me një këmbëngulësi, disiplinë dhe përkushtim të madh kanë arritur ta ngushtojnë rezultatin e madje të krijojnë edhe tri – katër raste të pastra shënimi, gjë e cila më ka lënë të kënaqur. Rezultati në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi të madhe, por fakti që kemi vërejtur një dëshirë dhe vullnet të madh tek djelmoshat.

Mendoj se kemi material të jashtëzakonshëm në këtë grup të futbollistëve, ndoshta sot kam kërkuar pak më tepër se sa është e nevojshme, por kam dashur që prej ditës së parë futbollistët ta kuptojnë se nuk do ta pranojmë asnjëherë asnjë humbje, por edhe nëse ndodh ajo duhet të jetë një fitore e kundërshtarit me një angazhim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Mendoj se me një punë të vazhdueshme me disa ndryshime dhe ardhjen e disa futbollistëve besoj që do të bëjmë një ekip të jashtëzakonshëm për sfidat e ardhshme”, tha Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat