Kola për trajnerin e Tiranës: Nëse i ka mbetur ndopak burrëri...

Futboll

Kola për trajnerin e Tiranës: Nëse i ka mbetur ndopak burrëri...

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 12:46
Josa

Mirel Josa është duke kaluar një nga momentet më të vështira të pesë viteve të fundit në karrierën e tij si trajner. I mësuar me katër tituj radhazi dhe një arritje historike në Europë duke e çuar Skënderbeun për herë të parë në grupet e Ligës së Europës, tashmë i duhet të përballet me një “furtunë” që është ngritur ndaj Tiranës, përfshi edhe të, pas ndeshjes Tirana-Kukësi(1:2), e cila nuk të linte shumë vend për dyshime se pakti i shumëpërfolur luajti aktin e radhës.

Përtej reagimeve të opinionistëve, tifozëve dhe ndjekësve të rregullt të futbollit në rrjetet sociale, Josa nuk u “zgjua” mirë një ditë më parë. Një prej miqve të tij jo vetëm në fushat e blerta, por edhe në jetën e përditshme, jo vetëm që nuk ishte treguar aspak diplomat, por kishte vendosur të shpërthente. Agustin Kola ishte më se i drejtpërdrejtë për “Panorama Sport” një ditë më parë. “Nëse i ka mbetur ndopak burrëri, Mirel Josa duhet të japë dorëheqjen”, ishte fjalia që tha Kola.

Brenda vetes mund të ketë përjetuar ndjenja të ndryshme, por në reagimin publik Josa është treguar i matur. Gjithsesi, i ka lejuar vetes t’i përgjigjet mikut (armik) edhe me ironi.

“E falënderoj Kolën për këshillat që më jep, por dorëheqja nga Tirana nuk është opsion për mua. Gjithsecili mund të flasë dhe shprehë mendimet e tij, por unë vazhdoj punën. Kaq mund të them në lidhje me reagimin që më kërkoni për atë çfarë ka deklaruar Kola”, është shprehur shkurtimisht Josa në reagimin e tij. Duket se tekniku bardheblu nuk ka ndër mend të tërhiqet pas asaj që ndodhi të shtunën në sfidën me Kukësin.

Për sa i përket klubit të Tiranës, ende nuk ka reaguar në lidhje me paktin e shumëpërfolur me Kukësin. Prej disa kohësh, klubi është në krizë. Pas bojkotit të tifo-grupit “Tirona Fanatics”, rezultateve jo të mira, tashmë ekipit i duhet të përballet edhe me “detin” e reagimeve që kanë shpërthyer pas sfidës së shëmtuar të së shtunës ku Kukësi fitoi ndeshjen më të lehtë të këtij kampionati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat