Fundi i një cikli të Barcelonës?

Futboll

Fundi i një cikli të Barcelonës?

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 13:49
Ilustrim

Shtypi botëror ka qenë unanim në kritika dhe e ka vlerësuar si fatkeqësi, humbjen e thellë të Barcelonës në Champions League. Mediat ndërkombëtare flasin për “poshtërim” dhe, madje, edhe fund të ciklit të skuadrës katalanase, duke iu referuar ndeshjes ndaj PSG-së, në “Parc des Princes”, ku humbën me rezultat 4:0. Në Francë, sidomos, flasin për punën e madhe të PSG-së dhe ratifikimit si trajner të Unai Emery, çka kishte qenë në pyetje. Gazeta “L’Equipe”, për shembull, në kopertinën e saj kryesore ka një titull të qartë; ”Të jashtëzakonshëm”, ndërsa faqet brenda raportojnë se “PSG-ja dërrmoi Barcelonën në një natë të bukur”, dhe se “stadiumi “Parc des Princes” ka jetuar atë që nuk e kishte imagjinuar njeri. Pjesa e parë ishte një kryevepër e vërtetë dhe PSG-ja i ka pothuajse të dyja këmbët në çerekfinale, pas dërrmës që u dha njërit nga të mëdhenjtë”. Një gazetë tjetër  franceze, “Le Figaro”, vë në dukje se “PSG-ja mundi Barcelonën në çdo drejtim”, ndërsa më pas thotë se “presioni në pjesën e parë e turpëroi Barcelonën. Me këtë fitore 4-0, PSG-ja mund të shkojë në “Camp Nou” e çlodhur”. Gazeta “Le Monde”, gjithashtu, flet për poshtërimin e Barcelonës dhe superioritetin e PSG-së: “PSG u ka dhënë një ndëshkim të drejtë katalanasve. Dështimi është shumë turpërues për një Barcelonë të panjohur.” Në Gjermani, edhe atje shkojnë përtej pritshmërive. Gazeta “Der Spiegel” thotë se “ky është fundi i një cikli të Barcelonës, ose i trajnerit Luis Enrique. Ky i fundit nuk kishte përgjigje për punën e PSG-së në mesfushë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat