Reali përçanë De Laurentiisin dhe Sarrin

Futboll

Reali përçanë De Laurentiisin dhe Sarrin

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 09:34
Maurizio Sarri me presidentin e klubit, Antonio De Laurentiis.

Humbja nga Real Madridi, me rezultat 3:1, ka përplasur trajnerin e Napolit, Maurizio Sarri me presidentin e klubit, Antonio De Laurentiis.

Duket se humbja nga Real Madrid nuk është kapërdirë nga bosi i Napolit, Antonio De Laurentiis, i cili sulmoi trajnerin, Maurizio Sarri, në lidhje me zgjidhjet e këtij të fundit.

Duket se presidenti napolitan i harroi shpejt deklaratat e simpatisë për trajnerin italian, bërë para pak ditësh dhe nuk ngurroi të shprehë gjithë pakënaqësitë për mënyrën sesi trajneri Sarri e kishte përgatitur këtë ndeshje.

“Kam disa rezerva për zgjedhjet e bëra por do ti mbaj për vete, gjithsesi është e vështirë të kuptohet se pse nuk luajnë disa futbollistë, për të cilët kam shpenzuar shumë para për ti sjellë në ekip”, ka deklaruar ai.

Kurse, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i trajnerit, Maurizio Sarri në lidhje me deklaratat e presidentit të Napolit.  

“Përgjegjësi për zgjedhjet jam unë dhe nuk pranoj asnjë ndërhyrje. Nëse De Laurentiis ka ndonjë gjë për të më thënë, le të më thërrasë se i kam përgjigjet edhe për të”, ka deklaruar Sarri.

“Bëmë një ndeshje të mirë, ndaj një kundërshtari që është shumë më lart se ne sa i përket individualiteteve, megjithatë nuk më pëlqeu që bëmë shumë pasime të gabuara në gjysmëfushën tonë. Unë jam i bindur se do ti bëjmë të kalojnë një natë ferri në ndeshjen e kthimit”, theksoi ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat