Korabi-Vllaznia luhet në “Niko Dovana”

Futboll

Korabi-Vllaznia luhet në “Niko Dovana”

Më: 18 shkurt 2017 Në ora: 00:06
ilustrim

Durrësi do të jetë stacioni i radhës për Korabin, për të zhvilluar ndeshjet si pritës në Kategorinë Superiore. Me stadiumin e Peshkopisë që ende nuk ka marrë “dritën jeshile” nga Komisioni i Licensimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, dibranët do ta luajnë sfidën e javës së 22-të e kampionatit përballë Vllaznisë në “Niko Dovana”. Ky është stadiumi më i fundit me të cilin klubi i Korabit ka arritur akordin për të zhvilluar ndeshjet, me Sektorin e Garave në FSHF që konfirmoi marrëveshjen për sfidën e kësaj të diele në orën 14:00. Impianti i Durrësit do të bëhet në këtë mënyrë stadiumi i pestë ku skuadra dibrane do luajë ndeshjet si skuadër pritëse, pasi më parë si shtëpia e tyre kanë shërbyer “Selman Stërmasit” në Tiranë, fusha e qytetit të Peqinit, stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës dhe impianti modern “Elbasan Arena”. Pavarësisht tentativave të drejtuesve të klubit, për ta afruar skuadrën pranë tifozëve të saj në sezonin ku janë rikthyer në elitë, stadiumi i Korabit vijon të mos licensohet për mosplotësim të kritereve të domosdoshme, prej të cilave nuk arrin të kualifikohet si objekt i licensuar për ndeshjet e Kategorisë Superiore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat