Stadiumi është pranuar, por a do t’i plotësojnë klubet kriteret?

Futboll

Stadiumi është pranuar, por a do t’i plotësojnë klubet kriteret?

Nga: Robert Gjeraj Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 12:18
Robert Gjeraj

Debate

Më gëzim e kemi pritur lajmin nga asociacioni më i lartë i futbollit evropian, UEFA, se për klubet tona lejohet stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë për zhvillimin e ndeshjeve në Champions League dhe Europa League. Ky është lajmi më i mirë për futbollin tonë pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA e FIFA. E dimë se nuk ka ndonjë investim të madh në infrastrukturë, megjithatë është gjithçka në rregull dhe vetëm pritet në mars një inspektim nga UEFA që gjithçka të jetë fije e për pe. Sepse nuk kemi nevojë të shkojmë as në Shkodër as në Shkup, kur kemi mundësi të luajmë në Mitrovicë dhe kur kihet parasysh se çfarë të ardhura sjellë futbolli. Nëse dimë ta menaxhojmë situatën atëherë e dimë të gjithë se sa të ardhura do të vijnë nga shitja e biletave në një ndeshje ndërkombëtare. Është një lajm i mirë për të gjitha klubet tona, si për Feronikelin apo ai klub që siguron vizën për në garat evropiane. 

Për shembull ekipet që janë më të përforcuara si bie fjala Feronikeli mund të kenë sukses pse edhe mos të mbërrijmë në fazën grupore, kur këtë e ka bërë skuadra e Skënderbeut nga Korça, pse mos të arrijmë edhe ne. E dimë që Skënderbeu ka pasur pesë-gjashtë futbollistë të Kosovës, si Berisha, Abazi, Latifi, Jashanica etj. Në bazë të situatës që shihet Feronikeli po shkon ngadalë por me hapa të sigurt është duke i plotësuar kriteret dhe shihet që ka financa. Trepça ’89 po shkon me hapa të sigurt,  po ashtu besojmë edhe Prishtina, kurse klubi im Liria veç i ka plotësuar 70 për qind të kritereve, nëse e siguron vizën me shkuar në arenën ndërkombëtare. Stadiumin nuk e ka Liria, por është ai në Mitrovicë, edhe pse nuk kemi kualitet me qenë kampion, por është duke e bërë një punë të mirë sidomos në plotësimin e kritereve si i kërkon UEFA.

Nëse Liria fiton Kupën e Kosovës, atëherë pse mos të jemi në garat evropiane, kur dihet se kemi edhe traditë. Prandaj, shoh se do të rritet rivaliteti dhe do të jetë ndër kampionatet më të forta të pas luftës. Për momentin është shumë i fortë sepse gjysma e ligës lufton për titull e gjysma për ekzistencë.  Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të luftojmë gjysma e ligës për titull e gjysma për mbijetesë, kjo është bukuria e këtij sporti. Është një kampionat lëmsh dhe nuk dihet kush kampion e kush bie nga liga. Askush nuk ka mundësi me kalkuluar sepse e fut veten në rrezik të lartë dhe kjo ka bërë që pjesa e dytë e kampionatit të jetë edhe më e fortë. Kush do të jetë kampion ose kush do të mbijetojë, pa dyshim se ajo që e përballon me shumë presionin. Sepse të gjitha skuadrat kanë kualitet dhe do të arrijnë cakun.

Autori është kapiten i FC Liria nga Prizreni

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat