Kujtoje te kaluarën për një të ardhme të ndritshme

Futboll

Kujtoje te kaluarën për një të ardhme të ndritshme

Nga: Skënder Selmani Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 16:20
Pamje para një ndeshjeje, Ilazi në mes gjyqtar

Debate

Nuk duhet të lejohet të harrohet një histori e ndritshme e shtetësisë së Kosovës, pavarësimi i futbollit të Kosovës, që është bërë me zemër ku edhe është sakrifikuar jeta për arritjen e këtij qëllimi, dhe u arrit. Nuk ishte fare lehtë, sepse përpara kishim një polici vrastare serbe, por dëshira e madhe për të qenë vetvetja, dhe kur më mos të jemi nën këmbët e okupatorit serb, qëllimi u arrit sepse nga dita e parë ishim të vendosur pa marrë parasysh pasojat.  Nuk ishim vetëm disa individ, por ishim një lëvizje gjithëpopullore, qysh në ditën e parë startuam me mbi 40 klube, me një numër shumë të madh referë, me shumë punëtorë sportiv, me vëzhgues dhe kontrollorë, me kryesitë e klubeve me sponsorët e shumtë të cilët shumë dhanë, pastaj forca më e madhe e jona ishin lojtarët dhe publiku i jonë besnik që ishte armë jonë kryesore për të arritur qëllimin, ku në çdo lojë ishin prezent minimum 2000, 3000 - 5000, e besa në disa lojë kishim edhe 10.000 shikues, e nëse llogaritet që çdo xhiro në tërë Kosovën ishin 15 xhiro, atëherë çfarë armate kemi pasur nga dita e parë e pavarësimit.

Nga dita e parë e pavarësimit të Federatës së Futbollit të Kosovës ka pasur edhe rregulloren e garave edhe Statutin edhe të formuara të gjitha komisionet përcjellëse, pra kemi qenë të emërtuar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, edhe pse ishim në një okupim të egër serb, por qëllimi i vetëm para vetes na obligoi mos të mendojmë për veten, por vetëm të realizojmë interesin e përgjithshëm pavarësimi i futbollit të Kosovës. Një nga shtyllat kryesore në pavarësim ishin edhe referët e futbollit të Kosovës të cilët patën një mesazh. S’ka kush që mundet të na ndalon të referojmë në futbollin e Shtetit të Kosovës, sepse çdo gjë nga jeta e jonë do të dhurojmë, për realizimin e qëllimit tonë. Në mesin e shumë këtyre trimave ishte edhe vushtrriasi Iljaz Spahiu i cili nga dita e pare u kyq refer në pavarësimin e futbollit të Kosovës.

Si shumë i ri u kyq nl futboll, ku karriera e tij fillon portier, ku edhe u përzgjedh portier i kombëtares së Kosovës për të rinj, pastaj shumë shpejt bëhet edhe portier i ekipit të parë të Vushtrrisë, ku pastaj kalon në Rudar sot Trepça ‘89, dhe nga aty në rini, ku në fund kthehet në klubin amë. Në përfundim të karrierës, fillon refer me një perspektiv shumë të madhe. Por kjo perspektiv nuk e mashtroi Ilazin në atë sistem dhe nga dita e parë kyqet refer në pavarësim në Ligën e futbollit të Republikës së Kosovës. Me korrektësinë e tij u bë shumë i dëshiruar për të gjitha klubet ku në shumë lojë ishte refer kryesor, ku me sukses i përfundoj. Ilazi ka qenë i përndjekur, i burgosur, i rrahur nga policia vrastare serbe, i kërcënuar që nuk guxon të referon prapë, por ky trim prapë referonte dhe nuk dinte për frikë, dhe në çdo lojë që u delegonte, ky referonte me kënaqësinë më të madhe, dhe pas loje deklaronte: “Kur më krenar në jetë, asnjëherë s’kam qenë se tani kur me shok po referojmë lojët në Federatën e Futbollit të Republikës së Kosovës”. Për Ilazin nuk ka pas se ku don të referon, ai në çdo lojë ka shkuar aty ku është deleguar në të gjitha vendet e Kosovës, ku janë zhvilluar ndeshjet, dhe çdo lojë me sukses e ka përfunduar. Ishte edhe i ftuar në treshen e referëve nga Kosova që të referon në turneun e futbollit në Shqipëri, ku merrnin pjesë e kombëtarja e Kosovës, kombëtarja e Shqipërisë, Besa e Kavajës dhe një ekip nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me 31 tetor 1993, në lojën Birliku me Skenderajn, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, qindta e qindra polic me autoblinda u vërsulen si bisha në fushën e futbollit ku egërsisht rrahën Ilazin duke e detyruar që t’i rrëzon shtyllat ku ndërkohë sa mundshin e rrahshin deri në alivanosje, dhe ky trim nga rrahja i shtrirë jepte mesazhe, se këtu jam dhe se dua të referoj . Çfarë force dhe vullneti. Dhe kur ta shohësh përjetimet e këtyre trimave, dhe bordi i sotëm i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk e sheh të arsyeshme që t’i dekoron, është një turp për ta.

 Autori është ish-anëtarë i kryesisë së Federatës së Futbollit të Kosovës 1991-95, nënkryetar i referëve të Kosovës, kryetar i Këshillit të garave të Republikës së Kosovës dhe kryetar i këshillit organizativ të ndeshjes Kosovë-Shqipëri, Kosovë-Shkëndijë në kohën e viteve të 90-ta.

Qëndrimet nuk janë të redaksisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat